Vllaznia fitoi në javën e fundit të sezonit përballë Kastriotit me rezultatin 1-3, ndeshje që në fund të saj rezultoi më tepër një formalitet për Vllazninë, që tashmë nuk e arriti Europën përmes kampionatit.
Të martën do të luhet edhe finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit dhe pas këtij takimi, primare do jenë faktorët që e çuan Vllazninë në vendin e pestë në renditje, por edhe plani që ka klubi për të ardhmen.
Pavarësisht se është ende shpejt, pasi sezoni i Vllaznisë mbyllet me ndeshjen finale të Kupës, presidenti Alban Xhaferi ka një plan për rikthimin sa më shpejt të jetë e mundur të ekipit kuqeblu në vendet e para të renditjes, duke tentuar edhe titullin kampion. Vllaznia me shumë mundësi, do të jetë një nga ekipet kryesore sezonin e ardhshëm, që do kërkojë rikthimin te titulli pas shumë vitesh.
Në të tilla kushte, planet e veprimit kanë nisur pak nga pak në Shkodër. Në deklaratat e tij, presidenti Xhaferi ka siguruar tifozërinë shkodrane, se Vllaznia e sezonit të ardhshëm do të jetë sërish kompetitive.
Presidenti Xhaferi ka bërë të ditur se të gjithë lojtarët që janë nën kontratë, që kanë bërë paraqitje pozitive sezonin aktual, nuk do të largohen nga Shkodra, pasi objektivat për sezonin e ardhshëm janë madhore. Nga grupi i futbollistëve të sezonit të mbyllur, shumë pak prej tyre kanë një kontratë aktive edhe edicionin e ri.
Në kushte të tilla, presidenti Alban Xhaferi do të jetë i detyruar të sjellë edhe elementë të tjerë krahas grupit të futbollistëve aktual, që janë aktivizuar në ndeshjet e këtij sezoni.
Maringlen ZHIVANI