Hapja e merkatos së verës ua hap mundësinë të gjitha klubeve të ndryshme të futbollit për t’u përforcuar, pasi ekziston një numër i konsiderueshëm futbollistësh, madje tepër cilësorë dhe me përvojë, që janë pa kontrata dhe mund t’u bashkohen pa asnjë problem ekipeve të ndryshme.

Mjafton të përmendim dy emra të shkodranëve të Kastriotit, si Abaz Karakaçi dhe Edon Hasani, të cilët bënë një sezon shumë pozitiv me krutanët, për të kuptuar se edhe për Vllazninë ka opsione të vlefshme, me hapjen e merkatos së verës.

Të dy mesfushorëve, si Karakaçit ashtu edhe Hasanit, u ka përfunduar kontrata, por mbetet të shihet si do të proçedojnë ato në ditët në vijim për të ardhmen e tyre, pasi edhe do të diskutojnë me drejtuesit e Kastriotit.

Kështu, që të dy janë futbollistë të lirë tashmë, pra janë alternativa të besueshme për të përforcuar mesfushën.
Gjithsesi, zhvillimet në vazhdim, do të tregojnë projektin dhe planin e Abaz Karakaçit dhe Edon Hasanit për të ardhmen e tyre në sezonin e ri.
Maringlen ZHIVANI