Romario kthehet në futbollin e luajtur në moshën 58-vjeçare! Ky është lajmi i bujshëm që është shpërndarë sot në mediat braziliane rreth ish-sulmuesit i cili në vitet ’90 cilësohej si një ndër më të mirët në qarkullim teksa shkëlqente me fanellën e Barcelonës dhe Brazilit.

“Globoesporte” ka bërë të ditur se Romario do të kthehet të luajë në kategorinë e katërt braziliane me skuadrën e Amerika të Rio De Zhaneiros, president i të cilës është vetë ai. Romario ka lënë futbollin në vitin 2009, ndërsa mori drejtimin e “klubit të zemrës” vetëm në muajin janar.

Të njëjtat burime saktësojnë se Romario do të përfitojë rrogën minimale, por do t’a japë në bamirësi. Ndërkohë, ai ka bërë të qartë se si president nuk do të ndërhyje te trajneri, dhe vetëm ky i fundit do të vendosë nëse sulmuesi e meriton të aktivizohet apo jo. Në radhët e kësaj skuadrës do të jetë edhe djali i tij, Romarinjo.