Plas dhuna në kampionatin U21, e pikërisht në ndeshjen mes Erzenit dhe Partizanit, të luajtur në stadiumin “Tofik Jashari” në Shijak. Në përfundim të ndeshjes, me rezultatin 2-2, lojtarët janë përplasur mes tyre, ku dy prej lojtarëve, pjesë e skuadrës së Partizanit, kanë përfunduar në urgjencën e spitalit të Durrësit.

Në njoftimin e policisë thuhet: “Rreth orës 14:00, në fushën sportive “Tofik Jashari”, është zhvilluar ndeshja e futbollit ndërmjet ekipeve të kategorisë U-21, Erzeni-Partizani.

Organizatorët e ndeshjes nuk kanë njoftuar Policinë për këtë aktivitet. Në përfundim të ndeshjes, janë konfliktuar fizikisht lojtarët e 2 ekipeve.

Si pasojë, janë dëmtuar 2 lojtarë të ekipit Partizani, të cilët janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”,