Një lajm i bujshëm vjen nga Spanja sa i përket prapaskenave të largimit të Zinedin Zidan.

Sipas emisionit sportiv “El Chiringuito”, një nga më të ndjekurit në Spanjë, trajneri francez ishte përballur me disa probleme në muajin e fundit dhe kishte rrezikuar kacafytjen me një nga futbollistët madrilenë për shkak të të birit, nga ku kishte lindur edhe ideja për t’u larguar.

Kristobal Soria, ish-drejtues i Seviljes dhe opinionist në studio, ka argumentuar se Zidan kishte shkaktuar pakënaqësi në ndeshjen e fundit të kampionatit, kur në portën e Realit aktivizoi si titullar të birin, 20-vjeçarin Luka.

Sipas Soria, kjo zgjedhje e Zidan kishte tërbuar portierin e dytë të madrilenëve, Kiko Kasija, i cili kishte humbur 600 mijë euro nga ky vendim.

I njëjti burim sqaron se kontrata e Kasija parashikonte një bonus të tillë që lidhej me numrin e ndeshjeve që portieri luante dhe ndeshja e fundit, ku në portë u rreshtua Luka Zidan, ia hoqi këtë mundësi të fitonte atë shifër.

Pasi ishte bërë publik formacioni zyrtar, në dhomat e zhveshjeve kishte filluar një rrëmujë e madhe ku ishin përfshirë thuajse të gjithë lojtarët dhe Kasija kishte provuar edhe ta godiste Zidan.

Kjo është në prej arsyeve pse Zidan kishte vendosur të largohej nga klubi, pasi kishte kuptuar se shumëkush e cilësonte atë fajtor për këtë ngjarje, vetëm se i kishte dhuruar mundësinë të birit të debutonte me Realin në një ndeshje të pavlerë për klubin. /vipsport/