Aventura e Orges Shehi në krye të Kukësit mund të përfundojë me mbylljen e këtij sezoni. Detyra e vështirë që i është caktuar për të ngritur titullin kampion duket thuajse e pamundur për t’u përmbushur, aq më tepër pas humbjes së sotme. Megjithëse vinte me 4 fitore ne 4 ndeshje deri më sot që pas ndërprerjes, Shehi nuk duket të ketë bindur Safet Gjicin.

Siç bën me dije “ABC News“ presidenti i Kukësit po sheh për një tjetër alternativë për stolin e skuadrës së tij dhe prapa derës së verilindorëve qendron përsëri Skënder Gega. Ky i fundit tregoi vlerat e tij sezonin e shkuar ku shpalli kampion pas shumë vitesh Partizanin, por u largua nga drejtuesit pas përfundimit të sezonit.

Trajneri shiptar u përfol edhe pas shkarkimit të Shpëtim Duros, por duket se tani ka dhënë miratimin për këtë bashkëpunim. Pak kohë më parë prishi edhe kontratën e tij me klubin nga Jordania si pasojë situatës së krijuar nga Covid-19, duke mos pasur mundësinë të lëvizë nga SHBA-ja drejt Lindjes së Mesme. Në këtë mënyrë një rikthim në Superiore pritet të jetë ajo çfarë e ardhmja e afërt rezervon për Skënder Gegën.

Ndërkohë Shehi mund të zgjedhë mes dy alternativave, të dyja të kushtëzuara. E para është Teuta, e cila varet nga rezultatet që do të marrë Edi Martini. Ndërsa mundësia e dytë për trajnerin aktual të Kukësit është Apolonia.

Një skuadër me potencial dhe që ka besuar shumë te të rinjtë e saj, por për të mbërritur në stolin e tyre Shehi duhet të presë për ngjitjen e tyre në Superiore, rrugë në të cilën janë duke ecur deri në këto momente./Sport Ekspres/