Nga Maringlen ZHIVANI
Ardit Deliu pritet të jetë goditja e dytë e Vllaznisë në merkaton e verës, pas mesfushorit kroat Amir Kahrimanoviç, i cili u prezantua pak ditë më parë.
“Shkodra Sport” mëson se futbollisti durrsak ka mbyllur bashkëpunimin me Tiranën, ku luajti sezonin e fundit dhe në këtë situatë ka përfituar Vllaznia, që po përpiqet të forcojë skuadrën para Conference League. Palët kanë pasur kontakte prej ditësh dhe duket se kanë arritur një akord verbal mes tyre.
Tashmë, pritet që të zyrtarizohet gjithçka me firmën në kontratë. Deliu shënoi dy gola me fanellën e Tiranës sezonin e fundit. Me afrimin e mundshëm të Deliut, shkodranët do të rrisnin ndjeshëm konkurrencën në mesfushë, ku trajneri Thomas Brdariç ka të gatshëm aktualisht edhe emra si Ardit Krymi, Rejan Alivoda dhe Amir Kahrimanoviç.
Vllaznia, gjithmonë nëse zyrtarizohet si skuadra e re e mesfushorit durrsak, do të ishte e katërta në karrierën e tij në kampionatin shqiptar, pas Besës së Kavajës, Laçit dhe Tiranës. Ndërkohë që, Deliu ka luajtur edhe me ekipe jashtë Shqipërisë, siç janë RNK Split, Hajduk Split dhe Liepaja.
Deri tani, klubi kuqeblu ka rinovuar kontratat me mbrojtësit Milos Stojanoviç dhe Marko Juriç, ka afruar mesfushorin Amir Kahrimanoviç dhe ka firmosur me dy talentet Ersi Zaganjori dhe Kevin Dodaj./www.shkodrasport.com/