Vllaznia dhe trajneri Mirel Josa i kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve për takimin e së nesërmes ndaj Erzenit. Shkodranët do të ndeshen në transfertë me shijakasit, duke nisur nga ora 17:00 në stadiumin “Niko Dovana”.

Ndërkohë, nga ajo që është parë në seancat stërvitore, trajneri Josa ka përzgjedhur edhe formacionin ndaj Erzenit. Tekniku Josa ka pasur disa pikëpyetje, por duket se ai ka vendosur për zgjedhjet që do të bëjë ditën e nesërme.

Kështu, përveç Ante Aralicës që dihet tashmë se do të mungojë, një tjetër futbollist siç është malazezi Darko Bulatoviç, nuk do të jetë i gatshëm për këtë sfidë. Këto dy mungesa, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, janë shoqëruar me disa pikëpyetje dhe dilema në mendjen e trajnerit Josa, por e rëndësishme është që mungesa e tyre mos të ndihet.

Për të kaluar tek formacioni, Bojan Zogoviç pritet të jetë titullar në portë dhe poashtu edhe Gurishta, Shehi, Juriç dhe Hakaj në mbrojtje. Shehi ka fituar konkurrencën për një vend titullari me 19-vjeçarin Flori Spahija, i cili mori nota maksimale për atë që tregoi në miqësoren ndaj Dinamos, por mesa duket është preferuar eksperienca dhe vlera e Shehit që tashmë njihen.

Ndërkohë, në mesin e fushës, do të vendoset treshja Jonuzi, Boshnjaku dhe Marku. Në dy krahët e sulmit, pritet që të aktivizohen Ardit Hoxhaj dhe Liridon Latifi. Maja e sulmit ka patur dilema për trajnerin Josa në mes Kaina Nunesh dhe Vulajt, por duket se sulmuesi brazilian është preferuar përpara shqiptaro-malazezit dhe duket se është më pranë formacionit.

Ky pritet të jetë formacioni me të cilin Vllaznia do të zbresë pasditën e nesërme në fushën e lojës, duke nisur nga ora 17:00 në stadiumin “Niko Dovana”, teksa kjo ndeshje do të transmetohet në kanalet e platformës “OverSport”.

Vllaznia (4-3-3): Zogoviç, Gurishta, Shehi, Juriç, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Marku, Hoxhaj, Latifi, Kaina Tr: Mirel Josa
Maringlen ZHIVANI