Vllaznia do të luajë nesër ndeshjen e rradhës përballë Tiranës, në stadiumin “Loro Boriçi”. Kuqeblutë kanë mbyllur sot përgatitjet anti-Tirana, teksa shkodranët gjatë kësaj jave nga ajo që është parë në stërvitje, kanë kryer përgatitje kryesisht taktike. Lojtarët vijnë pas disa ndeshjeve rradhazi, prandaj edhe ngarkesa stërvitore është dhënë me kujdes nga stafi teknik shkodran.

Kuqeblutë, e drejtuar nga trajneri Thomas Brdariç, vijnë në këtë sfidë me shumë ndryshime nga ndeshja e herës së fundit, ndaj Kukësit. Për këtë ndeshje, shkodranët nuk do të kenë të gatshëm kapitenin Erdenis Gurishta, Fjoart Jonuzin dhe Victor Da Silvën, teksa nuk ia kanë dalë që të jenë të gatshëm.

Trajneri Brdariç mund të bëjë përshtatje me lojtarët që ka dhe pritet që kuqeblutë të luajnë me skemën 3-4-3. Megjithatë, mund të ketë edhe ndryshime gjatë ndeshjes, teksa ekipi shkodran mund të vendoset ndoshta edhe me 4-2-3-1. Nëse provohet ky variant, mund të luajë Adili përpara mbrojtjes së bashku me Krymin.

Vllaznia mund të luajë nesër me skemën 3-4-3, absolutisht, pa bërë eksperimente rrënjësore, aq më tepër në një ndeshje të rëndësishme si kjo ndaj Tiranës. Kështu, pritet që në portë të jetë Zogoviç dhe përpara tij treshja Adili, Diagne dhe Bulatoviç. Nga krahët, Kruja në të djathtë dhe Hakaj në të majtë dhe në qendër Krymi dhe Mustedanagiç ose Heriç, për të formuar skemën 3-4-3. Në sulm, me Aralicën në krye, pritet që nga krahët të vendosen Latifi dhe Çoba. /Maringlen ZHIVANI/

Varianti A (3-4-3)

Zogoviç

Adili Diagne Bulatoviç

Kruja Mustedanagiç (Heriç) Krymi Hakaj

Latifi Aralica Çoba


Varianti B

Zogoviç

Kruja Diagne Bulatoviç Hakaj

Adili Krymi

Latifi Mustedanagiç Çoba

Aralica