Ndeshja mes Tiranës dhe Teutës e vlefshme për javën e 29-të të Superiores u mbyll me fitoren e durrsakëve. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi me rezultatin 1-2 në favor të “Djemve të Detit”. Pas kësaj sfide për mikrofonat e MCN TV, foli trajneri i Tiranës, Erbim Fagu.

“Sigurisht që e kishim përgatitur ndeshjen ndryshe. Nuk e interpretuam ashtu siç duhej, u goditëm me dy gola. Kur goditesh, bie ana psikologjike dhe më pas shkoi gjithçka keq. Nuk është se e ka të bëjë shumë largimi i Nikqit pasi e mbulonim zonën me disa lojtarë, s’mund të them se mund të fitonim po të veproja ndryshe”, tha fillimisht Fagu.

Nuk i dhatë zgjidhje presingut të Teutës…

“E dinim si do luante Teuta me presing të lartë. E vuajtëm sot edhe finalizimin, nuk ishim të qartë kur dilnim në ¾ pasi kishte konfuzion. Ajo fitore me Dinamon na e rregulloj anën psikologjike, por nuk e di as unë se çfarë përgjigje të jap.”

Mendon se të duhet akoma kohë për të patur skuadrën tuajën?

“Për kaq pak kohë mundohesh të bësh ndryshime të vogla, jo shumë të mëdha pasi mund të prishësh ekuilibrat. Me këtë grup lojtarësh jam munduar të mos ndryshoj shumë. Por gjithsesi unë sot ja le pjesës së interpretimit të ndeshjes që nuk ishte aty ku duhej.”

Gjendja shëndetësore e Patrick dhe Najdovskit?

“Najdovski këtë javë është stërvitur rregullisht me ekipin, por do pak kohë të vijë aty ku duhet. Ndërsa Patrick mund të jetë pjesë e 11-shes në ndeshjet e radhës.”

Të shqetëson reparti i mbrojtjes, pasi keni pësuar shumë?

“Kemi punuar edhe për pjesën difensive, por sot u shënua një gol shumë i bukur që nuk mendoj se ishte faji i mbrojtjes. Ndërsa te goli i dytë duhet të ishim më të vëmendshëm.”

I ka kapacitetet Tirana për t’u shpallur kampione këtë sezon?

“Sigurisht që po. Jemi akoma në luftë për final four dhe më pas të mendojmë për të dalë kampion. Në final four mund të dalësh kampion, nuk është e vështirë.”