Sot pasdite do të luhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” gjysmëfinalja e parë e kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj, ajo në mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Por për shkodranët mësohet se ditët e fundit ka dalë në skenë një problem: Nga skuadra është larguar njëri nga volejbollistët e huaj që kanë qenë pjesë e saj.

Bëhet fjalë për bjellorusin Yauheni Mishiyuk. Drejtuesit e ekipit nuk kanë patur dëshirë t’i kushtojnë shumë rëndësi këtij fakti duke mos u përqendruar tek kjo gjë por tek përgatitjet për sfidën me Tiranën.

Burime pranë skuadrës bëjnë të ditur se Mishiyuk ka patur disa kërkesa financiare disi të çuditshme, ndryshe nga ato që kanë qenë të shkruara në kontratë dhe kuptohet që ata nuk ia kanë plotësuar, për më tepër që në disa prej ndeshjeve të fundit nuk ka treguar formë të mirë sportive.

Në këto rrethana Mishiyuk mësohet të jetë larguar nga Shkodra pa miratimin e drejtuesve të Vllaznisë të cilët nuk kanë qëndruar pasiv por kanë vënë në dijeni Federatën Shqiptare të Volejbollit por edhe atë Europiane duke i bllokuar kartonin.

Megjithatë largimi i këtij sportisti nuk pritet të ndikojë tek skuadra në play-off sepse edhe në fazën e parë të kampionatit kur në rradhët e saj nuk kishte asnjë të huaj, ajo bëri një paraqitje fantastike duke i fituar të tetë ndeshjet.

Ndërkohë në skuadër tashmë është edhe malazezi Vuk Medenica që po mundohet të japë më të mirën e tij dhe Vllaznia nga sot do të nisë rrugëtimin e saj drejt titullit të dytë kampion në historinë e saj.
© shkodrasport.com