Armand Duka, i ftuar në emisionin “Pressing” të moderatorëve Çarçani e Shkira, ka replikuar edhe në lidhje me deklaratën e gazetarit Adi Krasta, që së fundmi e cilësoi stadiumin “Air Albania” si një “Bahçe e vogël me bar, ku luhet kalçeto”. Përpara pak ditësh, në një monolog të këtij të fundit, është cekur edhe tema e ndërtimeve apo prishjes së impiantit të vjetër “Qemal Stafa”.

Presidenti i FSHF-së ka vendosur t’i përgjigjet gazetarit, duke theksuar se jo gjithmonë kritikat janë të padrejta, pasi stadiumi i ri ka disa probleme sipas Dukës. “Nuk kam vënë re problematika të vogla. Stadiumi nuk ka kontribuar jo vetëm në cilësinë e futbollit, por edhe në jetën e shqiptarëve. Nuk e kemi shijuar më parë dhe po ndikon në jetën sociale.

Dëshirojmë të vazhdojmë me fushë natyrale. Po u përmirësua fusha, edhe vitin tjetër do kemi këtë fushë. Nuk është kiameti edhe ta ndryshojmë për një javë me një hibrid, që nuk është shumë komod për futbollistët.

Ai (Krasta) nëse do të kishte qejf për debat, do bënte debat. Le të rrije në monologun e tij. Çdo njeri ka të drejtën të bëjë monolog sipas shijeve të veta. Faktikisht, a është kalçeto? Atëherë çfarë debati do të bëjmë?! Ai është një stadium, nëse është hequr apo jo nga monumentet e kulturës, mund të jetë e drejtë që monumentet e kulturës të mbrohen.

Nga këndvështrimi i futbollit, për mua dhe për të gjithë ata që merren me futboll dhe vijnë aty, është një stadium fantastik dhe i bukur. Nëse ishte apo jo monument, a duhesh dhënë leja apo jo, kjo nuk është puna jonë. Kjo ishte zgjidhja më e mirë e mundshme që duhet të bëhej për kryeqytetin.

Në asnjë zgjidhje nuk mund t’i kesh të gjithë njerëzit në një mendje. Nuk do të thotë që ata që janë kritikues nuk kanë asnjëherë të drejtë. Mund të kenë njëfarë të drejte, por jo ta ekzagjerojnë dhe të thonë që është një kalçeto”, u shpreh Duka.

Monologu i Adi Krastës:

“Natën e shkatërrimit të ndërtesave unë e quaj natë neroniane, por ajo që ndodhi me stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ishte natë Bartolomeu me thika.

Brenda natës e kanë nxjerrë vërtik nga mbrojtja e monumenteve, të nesërmen fadroma. Tani, që t’ju them unë juve, çfarë kanë ndërtuar. Kanë ndërtuar një qendër brutale biznesi me një bahçe të vogël ku luhet kalçeto, me emrin e një kompanie kuaziturke. Do të mbetet një ndërtesë brutale, banale dhe që nuk i shërben sportit, por biznesit. Dhe nuk është e bukur”, tha Krasta mes të tjerash./newsport/