Dita e sotme do të jetë shumë interesante për sportdashësit shkodranë. Pasditja sidomos, do të jetë një mundësi e mirë për ta jo vetëm për të kaluar kohën por edhe për t’u argëtuar dhe njëkohësisht edhe për të mbështetur ekipet e Vllaznisë që do të zbresin në fushën e lojës dhe në parkete.

Gjithçka do të nisë në orën 14.00 kur në fushën “Reshit Rusi” do të zbresin për të luajtur përballë njëra- tjetrës Vllaznia dhe Veleçiku në kuadrin e javës së pestë të kampionatit të kategorisë së parë. Një sfidë për t’u ndjekur sepse pritet të dhurojë emocione.

Menjëherë pas kësaj ndeshje futbolli, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të nisë një ndeshje shumë interesante volejbolli. Ajo në mes Vllaznisë dhe Erzenit për meshkuj që do të startojë në orën 16.00.

Ky i fundit është kampion në fuqi i vendit dhe po ashtu edhe kampionatin aktual e ka nisur si pretendent. Përballë do ketë shkodranët e drejtuar tashmë nga Ermal Kraja të cilët do tentojnë të marrin fitoren e dytë pas asaj të javës së kaluar ndaj Studentit në Tiranë.

Ndërkohë në orën 18.00 do të nisë ndeshja e volejbollit të femrave në mes Vllaznisë dhe Tiranës. Edhe kjo një sfidë shumë interesante dhe që mund të dhurojë emocione sepse vajzat e drejtuar nga Mark Kroqi do kërkojnë të nisin një kampionat ndryshe.

Për të gjitha këto, tifozët shkodranë mendojnë se kanë se ku ta kalojnë pasditen sot.
KALENDARI
ORA 14.00 FUTBOLL VLLAZNIA- VELEÇIKU
ORA 16.00 VOLEJBOLL MESHKUJ VLLAZNIA- ERZENI
ORA 18.00 VOLEJBOLL FEMRA VLLAZNIA- TIRANA