Milot Rashica dëshiron të vazhdojë karrierën në kampionatin anglez.

Media gjermane “Deich Stube” raporton se ylli i Verder Bremenit dhe Kosovës kërkohet nga dy klube të Premier Ligë: gjigantët e Liverpulit dhe Sauthemptoni.

Po gjithmonë  sipas kësaj mediaje, Liverpuli është favorit për të marrë shërbimet e 22-vjeçarit për faktin se është klub elitar dhe konkuron në nivele të larta, ndryshe nga Sauthemptoni i vendit të 13-ë, i cili nuk merr pjesë në kompeticionet europiane.

Duke parë dëshirën e Rashicës për të luajtur në nivele të larta të futbollit dhe koston e përballueshme financiare për kampionët e Europës, Liverpuli del favorit absolut për të blerë Rashicën. Por, edhe nëse transferohet në “Enfild Roud”, Rashica do të vuajë së tepërmi për t’u aktivizuar.

Përbërja e skuadrës me shumë yje si Firminjo, Mane dhe Salah i zvogëlon shumë hapësirën Rashicës në formacionin titullar dhe rrezikon të përsëritet precedenti “Shaqiri”, i cili përflitet se në fund të sezonit do t’i japë lamtumirën “të kuqve”.

Megjithatë, ajo që duket e sigurtë është se Rashica nuk do të vazhdojë të luajë për Verder Bremenin duke parë rezultatet zhgënjyese të skuadrës gjermane në këtë sezon.