Xhudistët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në garat e Kampionatit Kombëtar individual që u zhvilluan në sallën sportive “Fahrie Hoti” të kryeqytetit. Në të kanë marrë pjesë xhudistët më të mirë të gjithë Shqipërisë, por figurën më të mirë ndër to e kanë bërë ata të Vllaznisë dhe Tiranës, të cilët u konfirmuan edhe njëherë tjetër si ekipet më të mira në këtë sport.

Kampionati ka qenë për të rinj dhe për të rritur dhe është shoqëruar me një rivalitet të fortë në mes pjesmarrësve. Kështu në garat e të rinjve, ka spikatur sportisti Valentin Perndrecaj që në peshën 50 kg ka zënë vendin e parë duke u shpallur kampion kombëtar për vitin 2020.

Figurë shumë të mirë ka bërë edhe sportisti tjetër Luigj Bashaj që në peshën 73 kg ka zënë edhe ai vendin e parë duke u shpallur kampion i kësaj peshe. Në garat e të rinjve kanë spikatur edhe dy xhudistë të Besëlidhjes së Lezhës dhe pikërisht Martin Prendi që është shpallur kampion në peshën 66 kg dhe Ilir Pali po ashtu kampion në peshën +90 kg.

Ndërkohë garat e të rriturve janë shoqëruar me një rivalitet të fortë. Në peshën 60 kg, xhudisti i Vllaznisë Roland Vasija i ka sfiduar të gjithë dhe është shpallur kampion kombëtar për këtë vit. Të njëjtin sukses kanë arritur edhe dy vëllezërit Shkoza, Xhovani në peshën 73 kg dhe Luigji në peshën 81 kg të cilët kanë zënë vendet e para dhe janë shpallur edhe ato kampionë kombëtar.

Në këtë mënyrë këtu është mbyllur kampionati kombëtar individual për vitin 2020 që u shoqërua me daljen e pesë sportistëve kampionë nga ekipi i Vllaznisë, çka tregon edhe njëherë tjetër se aty vazhdon të punohet mirë nën drejtimin e kryetrajnerit, të mirënjohurit Anton Shkoza.
© shkodrasport.com