Futbolli shkodran ka marre nje lajm te hidhur pak minuta me pare. Eshte ndare nga jeta ne moshen 81 vjeçare ish- portieri i Vllaznise Zija Dani dhe me kete rast, gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushellimet me te sinqerta familjes per humbjen e njeriut te saj te dashur.

Porta e Vllaznisë në vite ka patur brenda saj shumë emra të cilët kanë shkruar historinë e kësaj skuadre. Njëri prej tyre padyshim që është edhe Zija Dani, njeriu i cili e mbrojti atë me sukses në vitet ’60. I datëlindjes 1941 ai do të merrej me futboll dhe zgjedh portën.

Luan me të rinjtë e Vllaznisë fillimisht dhe më pas, në vitin 1961 do të kalonte në ekipin e parë, aty ku do të luante deri në vitin 1968. Gjatë kësaj periudhe vetëm në dy sezone alternatohet me Paulin Ndojën ndërsa pjesën tjetër është gjithnjë titullar në portën kuqeblu.

Vendos ta mbyll herët karrierën, vetëm 27 vjeç kur ndoshta kishte ende për t’i dhënë futbollit shkodran, megjithatë ka lënë pas një emër të mirë. Ka qenë pjesë e Vllaznisë në ndeshjet që ekipi shkodran ka luajtur ato vite në Kupën Ballkanike.

Si pjesë e historisë së kësaj skuadre, padyshim që ka vendin e tij në librin e artë të futbollit shkodran dhe që meriton respekt për atë çfarë i ka dhënë atij. Por duhet thënë se përveç Zijasë, edhe i biri- Hektori, ka qenë portier dhe ka luajtur edhe ai për Vllazninë ndonëse për një periudhë të shkurtër në vitet 1993-96.
Gjergj KOLA