Fitoret radhazi ndaj Partizanit dhe Bylisit në transfertë krijuan idenë se “Loro Boriçi” do të ishte i tejmbushur të shtunën ndaj Laçit, por ndodhi e kundërta. Ja disa nga pikantet e kesaj ndeshje:

* Shumë pak tifozë të pranishëm në Vllaznia-Laçi. Kushtet atmosferike kanë ndikuar edhe te prania e tyre, teksa shumica e tyre kanë qenë të vendosur në A dhe B, që janë të mbuluara. Vetëm grupimi “Vllaznit Ultras” ishte vendosur në tribunat përballë, ndërsa në total nuk pati më shumë se 1200 tifozë, një shifër shumë larg pritshmërive.

* Vetëm 5 lojtarë të gatshëm në stolin e Laçit për ndeshjen ndaj Vllaznisë. Mbrojtësit Albi Alla dhe Rudolf Turkaj vijojnë të dëmtuar, ndërsa Renato Ziko mungonte për shkak të kartonëve të verdhë.

* Kapiteni i Laçit, Mentor Mazrekaj, debaton me anësorin Qose në minutën e 29- të, teksa kërkon një pozicion jashtë loje.

* Sulmuesi i Laçit, Saliu Guindo, ka komunikuar me trajnerin Mezani në minutën e 30-të, duke i kërkuar zëvendësim. Kjo ndodhi menjëherë më pas, ndërsa lojtari doli nga fusha duke çaluar disi.

* Tifozëria shkodrane sikur e parandjeu golin e parë të shënuar nga Ardit Hoxhaj, teksa pa u goditur ende kornia e ekzekutuar nga Herald Marku, ata nisën në kor thirrjet “Vllazni, Vllaznia”.

* Bekim Balaj doli nga stoli për të nisur nxehmjen në minutën e 47-të dhe ky moment u shoqërua me duartrokitje të gjata nga tifozët.

* Mbrojtësi i Laçit, Marko Roganoviç, tradhtohet nga nervat në fundin e lojës, ndërsa ka diçka për të sqaruar me Esin Hakajn e Vllaznisë. Pas debatit verbal, gjithçka mbyllet me një shtyrje mes tyre.

* Pas përfundimit të takimit, trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, takoi përzemërsisht sulmuesin e kurbinasve, Saliu Guindo, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”. Nuk munguan batutat mes tyre, në një kohë që kanë njohje të vjetër pasi kanë qenë te Laçi në sezonin e kaluar.

* Mala ka lënë fushën e lojës me duartrokitje të gjata nga tifozët.