Zhoze Murinjo ndoshta nuk i ka dhënë hapësirën që kërkonte Marash Kumbulla në radhët e Romës. Por trajneri portugez ka vlerësuar gjithsesi në mënyrën e tij mbrojtësin shqiptar.

Pamjet e teknikut që festonte me celular në dorë dhe ku shihej se po telefononte Kumbullën e dëmtuar pak ditë para ndeshjes ndaj Bajer Leverkusen, bënë xhiron e rrjetit, ashtu si edhe festimi me fanellën e mbrojtësit shqiptar nga skuadra pas përfundimit të ndeshjes.

Tani, trajneri ka vendosur që Kumbulla të jetë pjesë e delegacionit që ka udhëtuar drejt Budapestit për finalen e Ligës së Europës. Mbrojtësi kuqezi, ka udhëtuar sot me ekipin drejt kryeqytetit hungarez. Ai është filmuar teksa ngjitej në avion me paterica, ndërsa ka qëndruar me pjesën tjetër të skuadrës si të ishte i gatshëm për ndeshje.

Dhe me siguri, edhe ai do të parakalojë në podiumin e fituesve për një medalje, pasi ka qenë pjesë e rrugëtimit të Romës në këtë edicion që mbetet mbresëlënës, me apo pa fitoren e trofeut.