MFC Panthers Shkodër u shpall fituese e Kupës së FSHF pak ditë më parë në futbollin amator 9X9. Padiskutim që, ky ekip zhvilloi paraqitje fantastike në ndeshjet e kampionatit, duke qenë pretendent dinjitoz për fitimin e titullit kampion, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk u arrit.

Megjithatë, MFC Panthers Shkodra nuk u dorëzua dhe luftoi fort për të fituar trofeun tjetër, i dyti për nga rëndësia e këtij sezoni, FSHF Cup. Padyshim, një nga ata emra që ra në sy gjatë këtij sezoni me këtë ekip me paraqitjet dhe golat e tij, ishte ish-futbollisti i njohur i Vllaznisë dhe Laçit, Valdano Nimani.

Ky i fundit, në një intervistë për “Shkodra Sport”, shprehet i keqardhur për mosfitimin e kampionatit me këtë ekip, ndërsa theksoi faktin se emrat e njohur të futbollit që bëjnë pjesë në këtë ekip e kanë bërë më të lehtë fitimin e Kupës dhe ecurisë pozitive në kampionat.

Poashtu, Nimani, i pyetur nga “Shkodra Sport”, për të ardhmen e tij në aspektin e trajningut tha se shumë shpejt do të ketë diçka konkrete dhe zhvillime të reja në këtë drejtim. Më poshtë, mund të lexoni intervistën e dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.


-Nimani, MFC Panthers u shpall fituese e Kupës së FSHF, besoj mjaft i kënaqur që u arritën objektivat apo jo?

Deri diku i kënaqur se u fitua Kupa, por na mbeti peng kampionati se ishim shumë afër dhe prej penalltive u eleminuam. Megjithatë, si viti i parë që kemi marrë pjesë, mund të them se jam i kënaqur.


-Panthers kishte brenda edhe shumë elementë cilësorë me disa ish-futbollistë ndër të cilët edhe ju që u rikthyet për të luajtur sërish, ua bënë më të lehtë ata këtë sukses?

Po, është e vërtetë që kemi shumë ish-sportistë dhe emra të njohur në futbollin shkodran. Besoj se kjo na e ka bërë më të lehtë edhe fitmin e Kupës dhe ecurinë pozitive në kampionat, por gjithashtu edhe grupi i bashkuar ka pasur rol kryesor në ekip.

-Sa ndikoi ardhja në pankinë si trajner e Fatmir Axhanit, pasi realisht duket se edhe ai ka merita të mëdha për këtë sukses?

Normalisht që, ndikoi për mirë, pasi me eksperiencën që ka si trajner na ka ndihmuar shumë. Në fakt, çdo ekip ka nevojë për një trajner dhe profesor Axhani në këtë rast ka meritë absolute në fitimin e trofeut.


-Dukeni i keqardhur që nuk arritët të fitonit edhe titullin kampion apo jo?

Të them të drejtën po, pasi na ka mbetur peng, sepse ishim shumë afër dhe shumë të bindur se do e fitonim kampionatin, por ishte çështje fati që ndikoi në eleminimin tonë.

-Ndërkohë, në aspektin personal, i kënaqur Nimani me atë çfarë prodhoi këtë sezon?

Të them të drejtën, jo edhe aq. Ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë dhe me shumë sakrifica, sepse duhej çdo javë të leviznim per në Tiranë, plus edhe dëmtimet gjatë rrugës kanë qenë prezente dhe nuk kam dhënë dot 100% tim gjatë rrugëtimit.


-Nimani, cila do të jetë e ardhmja juaj, pasi me sa duket jeni tërhequr disi nga trajnimi apo jo, mund të kemi sërish një rikthim tuajin si trajner në vazhdim apo jo?

Të them të drejtën, kam pasur tre vite ecuri pozitive, por edhe lodhje dhe sakrifica. M’u desh pak pushim këtë vit që lamë pas dhe them se jam gati për sfidat e reja që të jep sporti. Në fakt, kam pasur disa bisedime, por akoma asgjë konkrete për të marrë një vendim. Besoj se në të ardhmen do kemi diçka konkrete.

-Faleminderit Valdano dhe suksese në vazhdim!

Falënderimi ju takon ju Maringlen dhe ju falënderoj ju si staf që jeni gjithmonë lajmi i parë dhe i saktë në sportin shkodran!
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI