Të hënën u mbyll sezoni dhe nga dje, te Vllaznia kanë nisur menjëherë punën për Kupat e Europës dhe sezonin e ri. Tashmë, Elvis Plori është emëruar drejtor sportiv i këtij klubi dhe ai ka nisur menjëherë nga puna e tij.

Në fakt, në detyrën e drejtorit sportiv të Vllaznisë deri më tani ishte Vioresin Sinani, por tashmë sipas vendimit të marrë nga drejtuesit e klubit, ai është larguar nga ky post. Në opinion gjatë ditës së djeshme u përfol ideja e largimit të tij përfundimisht nga klubi kuqeblu, por nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se Sinani do të vijojë të jetë pjesë e tij.

Një gjë të tillë e ka konfimuar edhe vetë presidenti Alban Xhaferi, në një komunikim me “Shkodra Sport”. Në fakt, deri në këto momente, Sinani është pa një detyrë të mirëfilltë dhe ende nuk dihet se cili do të jetë roli i tij tek Vllaznia në sezonin e ri, por ndoshta pritet të mësohet në ditët në vazhdim.

“A është larguar Sinani? Jo, ai është pjesë e klubit dhe do të vijojë të jetë pjesë e jona. Për momentin, kemi vendosur vetëm për drejtorin Elvis Plori, të cilit dua t’i uroj suksese në detyrën e re. Ndërkohë që, Viori është dhe do të jetë pjesë e klubit, si emblemë e Vllaznisë ndër vite. Kaq mund të them për momentin”,-tha presidenti i klubit kuqeblu, Alban Xhaferi.
Maringlen ZHIVANI