Menemespori është kthyer një “tokë të premtuar” për lojtarët shqiptarë që po e kërkojnë trampolinën jashtë Superiores në këtë mënyrë. Selmani dhe Domgjoni janë vetëm dy rastet e para, por që i kanë hapur rrugën shumë transferimeve të tjera.

Në mediat turke është përfolur se e njëjta skuadër që luan në kategorinë e parë turke, po kërkon Sherif Kallakun dhe Ernest Muçin. Për këtë arsye “Sport Ekspres” ka kontaktuar trajnerin e Menemesporit, Cenk Laleci, për të folur më në veçanti vetëm për lojtarët shqiptarë. Trajneri na shprehet se përpara se të shkohet te Ernest Muçi, janë 8 lojtarë të tjerë të Superiores në listën e dëshirave nga Menemespori.

Kjo do të ishte një rekord më vete në merkaton e verës, pasi transferime të tilla në numër më herët nga Superiorja jonë kishin ndodhur vetëm në Kosovë. Duhet të thuhet se kriza financiare e ekipeve në Europë do të kthejë vështrimin e shumë skuadrave në Superiore, pasi mund të blihen lojtarë cilësorë për pak para dhe shërbejnë së tepërmi për kampionate të ndryshme.

Përshëndetje trajner! Kohë të vështira këto edhe në Turqi. Por nga ana tjetër po iu del më tepër koha për të ndjekur ndeshje që më parë nuk keni mundur apo jo?

Po ashtu si edhe gjithë të tjerët, ndodhemi në karantinë edhe ne si familje. E vërtetë që tani po shohim më shumë ndeshje nëpërmjet televizorit, internetit dhe po ndjekim shumë lojtarë, pasi kemi më tepër hapësirë kohore.

Selmani dhe Domgjoni kanë qenë dy prurjet e para nga Laçi. Përshtypja e parë që iu kanë lënë?

Jemi vërtet shumë të kënaqur me këta dy lojtarë dhe kanë një karakter të fortë. Tashmë për të dy këta futbollistë ka pasur interesim nga skuadra që janë të elitës këtu në Turqi, por edhe nga jashtë vendit tonë. Mund të them se jemi vërtet shumë të kënaqur.

Ndërkohë kemi lexuar se Muçi dhe Kallaku janë në vëmendjen tuaj kryesore. Pak me batutë, por e keni vendosur të na lini këtu në Superiore pa lojtarë?

Muçi është një lojtar vërtet interesant dhe ne e kemi parë. Por ajo që unë mund t’ju them është se kemi 8 futbollistë të tjerë që i përkasin Superiores në Shqipëri përpara Muçit.

Për emra e dimë që nuk mund të zbuloni. Por çfarë mund të na thoni më tepër rreth atyre që keni piketuar?

Sigurisht që me emra konkret nuk mund të flasim, por mund t’ju zbuloj se këta 8 lojtarë i përkasin këtyre tre skuadrave: “Partizani, Tirana, Laçi”.

Po sa i përket Domgjonit, vetëm 8 ndeshje dhe po ndiqet nga shumë skuadra të njohura. Mund të themi se iu ka dalë edhe vetë juve nga prishtmëria?

Atëherë unë dhe zëvendës trajneri këtu te Menemespori e kemi ndjekur vetë Domgjonin në Shqipëri. E kemi ndjekur në një ndeshje ndaj Partizanit dhe kemi qenë shumë të kënaqur me të. Edhe unë kam qenë vetë qendër mbrojtës dhe e di më së miri se çfarë vështirësie ka si detyrë. Ka ende disa gjëra për t’u përmirësuar, por Domgjoni e ka gjetur veten direkt në organikë. Kemi dashur që ta marrim Domgjonin që në kohën kur e transferuam Selmanin atëherë, por nuk u realizua dot ky transferim.

Mendoni se Domgjoni mund të luajë për përfaqësuesen e Kosovës apo Shqipërinë, duke e parë më nga afër nivelin e tij?

Unë mendoj se pas 1 viti do të jetë një nga mbrojtësit më të mirë në Turqi. Është i fortë fizikisht dhe i fuqishëm, luan me këmbën e majtë, me të gjitha karakteristikat që duhen. Për mendimin tim personal e ka të mundur që të luajë si për Kosovën, por edhe për Shqipërinë.

E sa i përket Selmanit, në merkaton e dimrit u përfol për një kalim në Seria A. Çfarë sygjerimi do t’i jepje këtij portieri?

Gentiani është një talent i madh dhe e ka kontratën që i vazhdon te Menemespori. Është normale që një portier i tillë mund të luajë edhe në Seria A. Por për mendimin tim do të ishte më mirë që të shkonte njëherë në elitën e futbollit të Turqisë pastaj për të kërkuar në Serinë A. Është në moshë të re, ka ende kohë, ndërsa talenti nuk i mungon.

Dhe një pyetje të fundit duke parë dashurinë tuaj të madhe për kampionatin shqiptar. Duke qenë njohës i mirë i futbollit në Turqi, ku e sheh nivelin e Superiores tonë dhe si kanë ardhur lojtarët prej këtej në stërvitje me ekipin tuaj, në çfarë niveli?

Ne kemi qenë me Partizanin në të njëjtin hotel në përgatitjet që kemi bërë gjatë sezonit dimëror në Antalia. Mesa kam parë unë, Partizani është ekipi më i fortë në Shqipëri, ka edhe dy ekipe të tjera që e konkurrojnë. E kemi parë edhe ndeshjen e Partizanit kundër Trabzonsporit ku në një pjesë ishin më mirë se kundërshtari.

Atëherë 2-3 ekipe nga Superiorja mund të luanin dhe konkurronin denjësisht në elitën e futbollit të Turqisë. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrave do e gjenin veten fare mirë në ligën tonë të parë. Në Shqipëri shoh që po i besojnë së tepërmi talenteve të reja dhe kjo është një gjë e mirë. /Sport Ekspres/