Orges Shehi ishte i ftuar në emisionin “Sport Magazine”, në Ora News ku analizoi javën e 12 të Kategorisë Superiore.

Ish-trajneri i Kukësit, e cilësoi Vllazninë si skuadrën më në formë, që ka surprizuar, por insiston se kuqeblutë nuk janë për titull ndonëse kryesojnë kampionatin.

Ai beson se Kukësi dhe Teuta do të rivalizojnë për vendet e para në klasifikim së bashku me Laçin, ndërsa për Tiranën thotë se ka gabuar në merkato dhe nuk ka potencial për të mbrojtur fronin.

Shehi: Tirana nuk është e plotë akoma në organikë. Ka një ndeshje të vështirë. Luan përballë një kundërshtari që është një nga më të mirët në këto javët e para, 12 javë, një skuadër që vazhdon të shprehë shumë oshilacione nga ndeshja në ndeshje. Është po ajo Vllazni, që luan shumë vertikal.

Kjo shkëputje e Vllaznisë është rrjedhojë e këtyre që po them, është një skuadër që në këto 12 javë luan shumë bukur, është gjithmonë prezente te porta, sulmon me shumë forca. Luan me një sistem 4:3:3, si pak skuadra në kampionatin tonë. Është një mënyrë loje që i vendos të gjithë lojtarët në punë dhe kanë entuziasëm. Ka një distance prej 3 pikësh. Është një shkëputje që jep besim.

Shehi beson se Kukësi dhe Teuta do të rivalizojnë për vendet e para në klasifikim së bashku me Laçin, ndërsa për Tiranën thotë se ka gabuar në merkato dhe nuk ka potencial për të mbrojtur fronin.

“Nuk është një Tiranë si në vitet e kaluara. Ka kaluar një tranzicion. Në këtë periudhë që ne flasim, nuk e ka organikën e plotë, ka dëmtime dhe jo lojtarë dosido, por me lojtarë të rëndësishëm. Prurjet e reja nuk janë ato që prisnin. Meraktoja jo gjithmonë është efikase. Ka edhe merkato që dështon. Ato janë lojtarë të rinj, por për momentin nuk po e tregojnë veten për objektiva madhore.“