Sponsori Xhaferi u kishte premtuar futbollistëve një shpërblim prej 5 milionë lekësh të vjetra në rast fitoreje sot ndaj Tiranës, por ata nuk ia kanë dalë dot të dalin me tre pikë nga stadiumi “Selman Stërmasi”.

Pavarësisht përpjekjeve të bëra, sidomos në minutat e fundit, kuqeblutë nuk ia kanë dalë dot të mundin rivalët e tyre historikë dhe gjithçka është ndalur në shifrat 1-1 në fund të 90 minutave.

Si rrjedhojë, lojtarët shkodranë kanë menduar se kësisoj nuk ia dolën të marrin një tjetër premio pas asaj që morën tre ditë më parë për fitoren ndaj Skënderbeut.

Por në fakt, ka një lajm të mirë. “Shkodra Sport” mëson se sponsori Xhaferi është treguar “zemërgjerë” dhe ka vendosur t’ua akordojë fitoren edhe për barazimin e arritur ndaj Tiranës.

Një vendim i marrë si shenjë vlerësimi për paraqitjen shumë të mirë në fushën e lojës, por edhe për t’u bërë edhe më të bukura festat e fundvitit. Dhe sponsori i Vllaznisë e ka bërë këtë gjë, duke zgjidhur edhe njëherë tjetër qesen dhe duke akorduar edhe një tjetër shpërblim për ekipin që ai sponsorizon./SHKODRA-SPORT.COM/