Pas Alban Xhaferit dhe Valter Fushajt, një tjetër biznesmen ka dalë në skenë si kandidaturë për privatizimin e Vllaznisë. Bëhet fjalë për ish- presidentin Agron Çela. Një gjë të tillë ai e ka pohur gjatë një lidhje me skype në emisionin “Fair Play”. Por në fillim të fjalës së tij, biznesmeni i njohur dhe ish- deputeti i Shkodrës është ndalur edhe tek ecuria aktuale e Vllaznisë.

“Shkodra po e përjeton me shumë gëzim dhe festë këtë ecuri të mirë të Vllaznisë. Kur përmendim këtë emër kuptohet që themi shumë gjëra sepse Vllaznia është zemra e shkodranë, është shpirti i shkodranëve. Prandaj pse të mos gëzojmë kur shohim ekipin tonë të zemrës të ecë përpara dhe ka suksese të njëpasnjëshme.

I uroj më të mirat Vllaznisë dhe stafit të saj që po punon në mënyrë shumë serioze dhe dinjitoze. Sot Vllaznia është në këtë pozicion por Shkodra në fakt e dëshiron ta shohë gjithmonë në këto nivele”-ka thënë ai.

Agron Çela është pyetur nga moderatorja Enkeleida Zeko edhe për çështjen e privatizimit të Vllaznisë, për të mësuar prej tij nëse është i interesuar për të marrë pjesë në ankandin për blerjen e saj.

Biznesmeni i njohur është shprehur kështu në lidhje me këtë pyetje: “Kam harxhuar 4 vite pas Vllaznisë. Vendimi i marrë nga Këshilli i Bashkisë për nisjen e procedurave të privatizimit të klubit ka qenë ai i duhur sepse vetëm kështu ecet përpara.

Unë bashkë me kolegë e miq të mi jam i interesuar për ta blerë Vllazninë. Por ne duam të dimë vlerën reale të saj, vlerën e borxheve dhe detaje të tjera që kanë të bëjnë me privatizimin”./SHKODRA-SPORT.COM/