Situata te Partizani është mjaft e nderë. Humbjet e fundit kanë vënë në rrezik maksimal pjesëmarrjen në Kupat e Europës, por edhe kanë sjellë një raport të ngrirë mes grupit të lojtarëve.

Trajneri Klevis Dalipi është munduar gjithmonë t’i mbrojtë të tijtë, edhe pse kanë zhgënjyer në fushën e blertë, por “dielli nuk mbulohet me shoshë”, siç thotë populli ynë.

Një ditë para transfertës gjirokastrite, acarimi i brendshëm te të kuqtë ka shpërthyer me një përplasje të fortë mes trajnerit Dalipi dhe mesfushorit Bruno Telushi.

Gjatë seancës së sotme stërvitore, mes dy personave në fjalë ka nisur një sqarim, por tonet janë ngritur shpejt, fyerjet nuk kanë munguar, aq sa për pak ka ndodhur edhe konfrontimi fizik.

Eshtë dashur ndërhyrja e lojtarëve të tjerë, që situata të mos precipitonte rëndë.

Futbollisti vlonjat ka lënë stërvitjen dhe fushën e blertë për t’u larguar me këpucë në dorë. Tashmë mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë klubi.

Kjo është një situatë e përsëritur, sepse pak a shumë e njëjta gjë ndodhi në përgatitoren turke të janarit edhe mes ish-trajnerit Starova dhe Lorenc Trashit.

Për këtë të fundit pati një pezullim të përkohshëm. Duhet thënë se trajneri Dalipi e ka aktivizuar si titullar Telushin në ndeshjet e fundit, duke ulur në stol Malën, teksa 19-vjeçari kosovar ishte në kulmin e performancës së tij.

Specialistë të futbollit e kanë kritikuar Dalipin për mosaktivizimin e Malës, të cilin e ka përdorur si zëvendësues të mesfushorit vlonjat.

Mesa duket, kjo është edhe “pika e vlimit”, që ka çuar sot në përplasjen e ashpër trajner-futbollist./telesport/