Teuta është drejt mbylljes së përgatitjeve për ndeshjen e së shtunës ndaj Partizanit në stadiumin “Arena e Demave”, ku Teuta gjithsesi do të shënohet si ekipi pritës. Kujtojmë, që kjo ndeshje e javës së dhjetë mes këtyre dy ekipeve luhet pa u luajtur ende ajo e raundit të parë, që është shtyrë disa herë dhe pritet të luhet në një moment të dytë.

Kujtojmë që ndeshja e fundit mes këtyre ekipeve daton më 29 maj, kur Partizani arrinte të fitonte dhe siguronte titullin kampion në ndeshjen e fundit. Lajmi i mirë për durrsakët është se ndryshe nga kundërshtarët, që shkojnë me disa mungesa në këtë ndeshje, Martini e ka skuadrën të plotë. Blerim Kotobelli, që mungoi në sfidën e fundit, e shleu pezullimin prej kartonëve dhe tashmë është gati për betejën me “demat”.

Pavarësisht se përballen me një nga skuadrat më të forta të kampionatit dhe pretendente për titullin, Teuta do të synojë të ndalë të kuqtë dhe pse jo të marrë edhe tri pikët, duke përfituar nga një eufori e mundshme, por edhe nga mungesat e të kuqve.

Gjatë përgatitjeve skuadra ka punuar më së shumti në lojë, teksa Martini e ka ndarë grupin në dy pjesë. Ra si zakonisht në sy loja e fortë e skuadrës, ku të gjithë futbollistët prej kohësh po kërkojnë një vend titullari në skuadër dhe po mundohen t’ia mbushin mendjen trajnerit Martini që ata janë të duhurit për 11-shen e parë.

Trajneri dje ka punuar taktikisht me ekipin duke e vendosur në fushë në kushte loje, ku ka këmbëngulur në qarkullimin e topit në hapësira të ngushta dhe situatave të kundërsulmit, qoftë aktiv, edhe pasiv. Sa i përket formacionit, në këtë ndeshje pritet të pësojë ndryshime, pavarësisht se trajneri është munduar ta fshehë në prani, duke bërë përzierje të ndryshme të lojtarëve.