Në Shkodër pas humbjes së fundit por edhe deklaratës së trajnerit Armando Cungu se mund të hapë krahun nëse ai është problemi i Vllaznisë, specialistë dhe tifozë janë ndarë më dysh. Shumica në fakt, i qëndrojnë në krah trajnerit duke qenë të mendimit se ai nuk është problemi real i kësaj skuadre. Por ka edhe nga ata që duan të shfrytëzojnë këtë situatë dhe të mendojnë për t’iu kundërvënë numri 1 të pankinës aktuale shkodrane. Edi Martini, një ish- koleg i Cungut në fushën e lojës, është në krah të tij duke mos e quajtur fajtor për situatën e krijuar. “Unë nuk e di pse bëhet kaq shumë zhurmë. Vllaznia është në vendin e pestë në renditje, çka do të thotë se është brenda objektivit të saj, nëse do të ishte mbyllur sot kampionati. Nuk e di çfarë duan tifozët apo njerëzit e tjerë. Katër vendet e para tashmë janë ndarë dhe do kenë një garë më vehte, ndërsa nga vendi i pestë dhe deri në të dhjetin, do jetë gara për të mos rënë. Vërtetë Vllaznia humbi ndaj Laçit por mund të fitojë javën tjetër dhe situata përsëritet. Unë kam qenë që në fillim të kampionatit kundër njerëzve që kjo skuadër do ishte për Europë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos mendojmë më shumë. Ua kam thënë edhe drejtuesve të klubit se vendi i gjashtë apo i shtatë, do të jetë sërish për skuadrën shkodrane edhe këtë sezon”- thotë për “SHKODRA SPORT, ish- futbollisti i njohur i Vllaznisë së viteve ’90. I pyetur nëse do të fitonte apo do humbte skuadra nëse do të largohej Cungu, ai do përgjigjej: “As nuk duhet çuar ndër mend një gjë e tillë. Armandoja nuk ka pse të largohet. I referohem këtu rastit të Tiranës në fund të sezonit të kaluar. Trajneri Daja dha dorëheqjen por drejtuesit e klubit ia refuzuan sepse kishin besim tek ai dhe ja ku janë sot. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me Cungun. Edhe nëse ai këmbëngul për t’u larguar, nuk duhet lejuar. Më mirë se e njeh ai këtë skuadër, nuk e njeh askush. Vetëm ai mund ta nxjerrë nga situata aktuale ku ndodhet. Nëse dikush tjetër që mund të vijë në vend të tij, thotë se arrin objektiva më të mëdha sesa shpëtimi nga rënia prej kategorisë, vetëm gënjen. E bën vetëm për të marrë rrogën dhe Vllaznia do të shkonte edhe më poshtë”. Edi Martini ka qenë vetë trajner. E di çfarë do të thotë edhe një situatë e tillë por ndonëse “i del zot” Cungut, ka edhe ndonjë kritikë për të kur deklaron: “Ne e shohim nga jashtë situatën. Por, në ndeshjen ndaj Laçit, konstatova dy gabime, gjithnjë sipas meje. I pari, pse duhen bërë eksperimente me krahun e djathtë të mbrojtjes dhe duke kaluar Gocajn në të majtë, kur fare mirë në këtë krah mund të luante Vrapi që me eksperiencën e tij, do ta kishte zgjidhur më mirë ndeshjen. E dyta, përderisa luan ndaj Laçit, në një ndeshje që kërkon ta fitosh me çdo kusht, të vetmin sulmues të mirëfilltë që ke në dispozicion, Pepën, e shohim në tribunë sepse nuk është grumbulluar as në 18-she!!! Kjo më duket e çuditshme megjithatë, mbase Cungu i di më mirë gjërat sepse i ka çdo ditë në stërvitje këto futbollistë dhe e di sesa vlen secili. Gjithsesi, ajo ndeshje ishte vërtetë për t’u harruar dhe shpresoj të mos përsëritet më”.