Fundi i muajit tetor do të sjellë në skenë edhe kampionatin kombëtar të boksit për të rritur. Një eveniment që pritet me shumë interes nga aktorët e këtij sporti, ndoshta nisur edhe nga deklaratat e presidentit të Federatës Florend Kalivopulli pak ditë më parë kur do të shprehej se “kampionati i sivjetëm do të jetë më i bukuri që është zhvilluar ndonjëherë”. Ndoshta e ka thënë këtë edhe për mënyrën e re të organizimit ngaqë do të jetë me dy faza por me siguri që do të ketë menduar edhe për rivalitetin. Vllaznia është kampione në fuqi dhe padiskutim që do të tentojë titullin e rradhës por nuk do ta ketë të lehtë. Tirana duket se është përforcuar shumë sepse ka marrë boksierë edhe nga ekipe të tjerë. Po ashtu, elementë cilësorë që synojnë titullin kampion në peshat respektive kanë edhe Flamurtari, Apolonia, Arena, Enea e Teuta, çka do të thotë se në çdo peshë do ketë rivalitet. Për t’i parapritë këtij rivaliteti dhe për t’u bërë gati ashtu si duhet, boksierët e Vllaznisë prej disa ditësh kanë nisur grumbullimin në njërin nga hotelet e qytetit. Trajneri Zef Gjoni ka dëshirë t’i mbajë sportistët e tij në “karantinë” sepse vetëm me një stërvitje të mirë dhe me një regjim të tillë, mund t’ia dalin të fitojnë edhe titullin e 21-të kampion. Ekipi shkodran do të vazhdojë të jetë i grumbulluar deri në prag të nisjes së fazës të parë të kampionatit. Përbërja e tij pritet të jetë e plotë dhe pozitive është se me ekipin tashmë është bashkuar edhe boksieri i njohur Kristian Demaj, i cili tashmë është i gatshëm për të synuar titullin personal të tij por edhe për të synuar titullin si ekip bashkë me sportistët e tjerë me përvojë si Nelson Hysa, Kristian Shytani etj.

Gjergj KOLA