Deklarata e tij tre ditë më parë në Ulqin teksa fliste për Vllazninë, është keqinterpretuar. Edi Martini duke qenë prezent në ndeshjen miqësore Vllaznia- Luftëtari, ka shprehur një mendim për skuadrën e tij duke theksuar shqetësimin që ndjente për praninë e 13 futbollistëve e huaj njëherazi në rradhët e saj, duke patur frikë edhe për ecurinë e Vllaznisë në të ardhmen.

Kjo deklaratë e tij, ka shqetësuar nga sa thuhet edhe vetë trajnerin  Rudi Vata që në ndonjë studio televizive nuk ka ngurruar të akuzojë ndonëse pa emër “pseudo-specialistët” që flasin rreth skuadrës së tij. Në kushte të tilla, kur deklarata e Martinit është keqinterpretuar, vetë ai përmes gazetës online “shkodrasport.com”, ka marrë përsipër të sqarojë Vatën dhe çdokënd tjetër për qëndrimin e tij në lidhje me atë çfarë ai ka thënë: “Nuk jam dhe nuk kam qenë kundër ardhjes së të huajve në ekipin e Vllaznisë. Por mënyra e ardhjes së tyre vetëm një javë përpara fillimit të ndeshjeve zyrtare është jo e mirë. E di që është shumë e vështirë të gjesh lojtarë në këto momente por edhe këto lojtarë që po vijnë, po bëjnë kontrata 6 mujore dhe si rrjedhojë sezoni tjetër na gjen prapë të zbuluar. Në qoftë se është thënë të mendojmë për të ardhmen, kjo nuk është mënyra e duhur. Sa për trajnerin Rudi Vata, mendoj se është një djalë serioz që i pëlqen të punojë dhe e di që është në një pozicion të vështirë për ndërtimin e ekipit sepse këta janë lojtarët që janë të lirë në këto momente. Po ashtu, koha për t’i harmonizuar me ekipin është shumë e shkurtër megjithatë unë i uroj suksese Rudit dhe Vllaznisë”. Kaq. I ka sqaruar të gjitha. Si për t’i thënë Vatës dhe gjithë të tjerëve se nuk ka asgjë me Vllazninë. Thjesht konstaton ndonjë gjë që s’shkon ashtu siç duhet për skuadrën e tij të zemrës dhe nuk e ndalon askush ta bëjë publike atë.

www.shkodrasport.com