Edi Reja ndjen keqardhje për humbjen 2-1 që Shqipëria pësoi ndaj Izraelit. Në prononcimin pas ndeshjes për mikrofonin e “TV Klan”, tekniku italian bëri një analizë të shkurtër në lidhje me atë që ndodhi në Tel-Aviv duke u shprehur:

“Mu desh të bëja këta ndryshim taktik, në të gjitha ndeshjet kemi bërë shumë pak raste. Kemi bërë vetëm një gol me Seferin me aksion në Islandë. Doja më shumë qëndrueshmëri në mesfushë për të pasur më shumë raste. Sërish nuk ndryshoi asgjë në lojë.

Ata na vunë shumë në vështirësi, u përpoqëm të mbanim në kontroll situatën. Abrashi dhe Laçi vrapuan si të çmendur. Kur ndryshon modul ka dhe të tilla problem. Do të bëjmë prova me skemë ndryshe në miqësore. Kishim të bënim me një skuadër shumë të fortë dhe kishte aftësi dhe cilësi teknike taktike të mëdha.

Për sa i përket Brojës, mund ta akuzoj deri diku për rastin e parë sepse kishte Cikalleshin bosh, te rasti tjetër nuk goditi mirë. Kur niset dhe ka hapësira mund të bëjë dëme të mëdha. Por duhet të përmirësohet dhe të bëjë më shumë për skuadrën”, u shpreh trajneri Reja.