Një lëvizje disi e papritur por vetë lojtari e kishte menduar prej kohësh. Edon Hasani është mëse I kënaqur pas firmës së hedhur dy ditë më parë për skuadrën bullgare Liteks Lovech. Për tre vitet e ardhshme ai do jetë pjesë e kësaj skuadre, ku ka gjetur një shok të ngushtë të tij, pikërisht Armando Vajushin. Madje, ky I fundit ka luajtur një rol të rëndësishëm për ta marrë në skuadrën e tij mesfushorin 20 vjeçar. Në një rrëfim për “Shkodra Sport” ish- mesfushori I Vllaznisë ka folur për kontratën e re, për largimin nga skuadra shkodrane dhe shumë gjëra të tjera. Ja intervista e plotë e tij:

-Edon, urime për kontratën e re…
– Faleminderit.
-Ju erdhi disi e papritur një firmë e tillë?
-Të them të drejtën e kam patur ëndërr të luaj jashtë vendit prej kohës. Falë Vajushit doli në skenë Liteksi dhe tashmë po flasim për tjetër gjë, jo më dëshirë.
-Kush jua mundësoi lidhjen me skuadrën bullgare?
-Ka qenë Armandoja (Vajushi) ai që bisedoi me drejtuesit e Liteksit duke më mundësuar një provë disaditore. Sigurisht që edhe fjalët e mira që ai kishte thënë për mua, më ndihmuan në provën time dhe nuk e pata të vështirë t’I bindë drejtuesit e kësaj skuadre për vlerat e mia.Kam bërë një paraqitje shumë të mirë në provën dyjavore këtu. Pastaj një punë të mirë ka bërë edhe menaxheri Sokol Haxhia I cili ia doli të bindë drejtuesit e Liteksit për të firmosur një kontratë me mua.
-Sa do jetë kohëzgjatja e kësaj kontrate?
-Kam firmosur për tre vitet e ardhshme. Jam I lumtur me kushtet e kontratës dhe po ashtu jam I kënaqur edhe nga ana financiare.
-Megjithatë, nga Vllaznia u larguat në një mënyrë jo të mirë pasi drejtuesit e saj nuk patën shumë besim tek ju. Ka ndonjë përgjigje për ta pas kësaj firme me Liteksin?
-Jo asnjë përgjigje. Zemra më qan për Vllazninë sa herë që ndodhem larg saj. Në njëfarë mënyre, I falenderoj të gjithë drejtuesit e Vllaznisë për atë çfarë më kanë dhënë dhe tani do filloj të mendoj për një klub si Liteksi me histori këtu në Bullgari por edhe në Europë. Unë jam shumë I lumtur përkrah shokut tim Vajushit, plus që është kënaqësi e madhe të stërvitesh nga një legjendë si Stoiçkov e për më tepër kur ai vetë më ka pëlqyer dhe ka kërkuar të më ketë në skuadër.
-Kur do ju shohim për herë të parë në fushë me fanellën e Liteksit?
-Tani kam ardhur nga një periudhë e vështirë që kalova me Vllaznisë si nga ana fizike ashtu dhe psikologjike megjithatë shumë shpejt besoj se do më shihni në fushë.
Hasani, jeni larguar ju por edhe shumë të rinj të tjerë nga Vllaznia këtë sezon. Mendoni se kjo është një politikë e drejtë e drejtuesve të saj?
-Më vjen shumë keq për ato djem që janë larguar se janë taman djem të talentuar dhe djem shumë të mirë. Unë u habita diçka në ndeshjen e fundit me Skënderbeun, në formacion ishin vetëm dy futbollistë shkodranë!!! Kjo është për të ardhur vërtetë keq sepse Shkodra ka shumë lojtarë të talentuar dhe jo më kot, po firmosin edhe kontrata jashtë vendit. Drejtuesit e dinë mirë këtë gjë se janë vetë shkodranë dhe kanë luajtur shumë vite për Vllazninë prandaj duhet të mendojnë ndryshe se Vllaznia nuk mund të mbahet me jabanxhinj.
-Së fundi, keni qenë kapiten me ekipet kombëtare U-17 dhe U-19. Po ashtu keni luajtur edhe me Shpresat. Tashmë pas kontratës me Liteksin, prisni edhe kombëtaren?
-Unë I marr gjërat shkallë- shkallë. Më datë 2 shtator grumbullohem me Shpresat dhe kam dëshirë të jap kontributin tim maksimal aty. Duke luajtur edhe me Liteksin pastaj do shohim edhe për të tjerat sepse kuptohet që ëndërra e gjithësecilit është kombëtarja e madhe por unë nuk dua të nxitohem.

Gjergj KOLA