Është larguar me keqardhje nga skuadra e zemrës, por zgjodhi karrierën jashtë vendit për t’u rritur më tepër si futbollist. Edon Hasani, mesfushori 20-vjeçar nga Shkodra, në fundin e gushtit u transferua në Bullgari, te Liteks Loveç. Aty ka gjetur edhe talentin tjetër shkodran, Armando Vajushin, të cilin e konsideron si lojtar dhe njeri të shkëlqyer. Në skuadrën bullgare ka shumë konkurrencë për formacionin, megjithatë Hasani nuk druhet. “Konkurrenca ndihmon në rritjen e nivelit në planin personal dhe të skuadrës, prandaj nuk i trembem aspak”, thotë 20-vjeçari. – A besoni te grupi aktual i Liteksit për të fituar të paktën një trofe?
– Këtu ka një grup lojtarësh shumë të mirë edhe me moshë mesatare të re. Ne si objektiv kemi që të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje, duke i marrë me radhë ato.
– Kush është lojtari që bën diferencën në skuadër?
– Të gjithë janë shumë të mirë dhe ata që dalin në fushë e meritojnë fanellën e kësaj skuadre.
– Aty keni edhe Armando Vajushin. Si është paraqitur?
– Vajushi, në radhë të parë, është një njeri fantastik, ndërsa për vlerat si lojtar ia dimë të gjithë dhe nuk është nevoja të flas unë. Mund t’ju them se askush nuk e vë në diskutim talentin e tij këtu dhe shpresoj me gjithë zemër që në janar ai të transferohet në ndonjë ekip më të madh, ndonëse si shok do të më vinte keq që ai të largohej.
– Tani që luani jashtë, mendoni seriozisht për kombëtaren, nisur nga fakti që lojtarët e kampionatit shqiptar preferohen më pak?
– Unë jam grumbulluar me kombëtaren U-21, gjë që e konsideroj si arritje për mua dhe sigurisht që synimi mbetet të luaj me kombëtaren A në të ardhmen. Por, e kam për natyrë që të qëndroj me këmbë në tokë edhe më pëlqen t’i marr gjërat me radhë. Mosha më lejon që të luaj edhe një vit me Shpresën. Nëse jap më të mirën aty, atëherë besoj se edhe dyert e kombëtares do të hapen.
– Vllaznia nuk e nisi mirë kampionatin, megjithëse ka marrë shumë përforcime. E prisnit?
– Ekipi është ndryshuar shumë, grupi është pothuajse i gjithi i ri dhe duhet kohë që të integrohen së bashku. Por, kampionatin sapo ka nisur dhe unë besoj se Vllaznia ia të gjitha mundësitë të luftojë për titullin, i cili na mungon prej shumë vitesh. I uroj shumë suksese.
– Ju vjen keq që nuk jeni më pjesë e kësaj skuadre?
– Kalova pesë vjet aty dhe mendova se duke shkuar jashtë do ta ndihmoja më tepër karrierën time, do të rritesha më tepër si futbollist. Sigurisht që më vjen keq që nuk jam më aty, por ky është futbolli profesionist. Aq më tepër kur ke mundësi të stërvitesh nga një emër i madh si Hristo Stoiçkov.

Ergest HAXHAJ