Si një ish-sulmues i Kombëtares dhe i shpërngulur për jetuar në Portugali, Eduard Abazi kthehet të japë opinionet e tij në lidhje me ekipin kombëtar dhe futbollin e moshave në Shqipëri në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai gjithashtu flet edhe për trajnerin e ri, brazilianin Silvinjo, i cili sipas tij duhet t’i kishte kërkuar FSHF-së një ndeshje miqësore para Polonisë. Abazi është i ashpër kur bëhet fjalë për menaxhimin e federatës, si dhe talenteve që grumbullohen në ekipet zinxhirë të moshave.


Z.Abazi, çfarë ju ka bërë përshtypje nga ngjarjet e fundit sa i përket futbollit në Shqipëri?

Më kanë bërë përshtypje dy ndeshjet e ekipit U-17 me Italinë. Pothuajse gjysma e lojtarëve tanë janë në një kampionat me lojtarët e U-17-ës së Italisë dhe kur vijnë këtu, mirë që rezultati është zero, por ne nuk kalojmë dot as mesfushën. Kjo do të thotë një paaftësi e stafeve teknike dhe te kjo pjesë FSHF-ja ka dështuar. Ende funksionojnë me miq, të krahut të tyre për interesa personale dhe bëjnë seleksionime që nuk i interesojnë përfaqësueses A. Nëse do të kishte një staf të kualifikuar dhe mundësisht të huaj, ato ndeshje nuk dilnin nga 6-0 dhe 5-1. Më ka lënë një shije të hidhur.


Ku është gabuar sipas jush?

Ne mund të shkojmë të zgjedhim lojtarë të mirë në Itali, Gjermani, dhe madje në Amerikë, sepse i mbaruam këto shtetet që thashë më parë. Kjo punë nuk bëhet duke shkuar dhe të bësh pazar me familjet nëpër botë, se a ka fëmijë shqiptarësh që kanë kualitet. Duhet të kesh të dhëna për një futbollist që luan këtu apo atje. Nuk ka asnjë federatë në botë që e bën një gjë të tillë. Është një turp.

Po ashtu në Shqipëri shumë talente të rinj demoralizohen, sepse nuk kanë faj, por stafet teknike nuk janë aq të kualifikuar për të rritur një futbollist dhe janë mbyllur vetëm në Shqipëri me atë mënyrën e vet. Kjo është e lidhur edhe me ekipet kombëtare të moshave dhe me trajnerin e ekipit A. Skuadra nuk ka staf. Vetëm një Silvinjo me dy ndihmës nuk është staf.


Përse mendoni kështu?

Sepse pjesa tjetër e stafit të Silvinjos janë shqiptarë. Po flas për këta trajnerët e moshave, që kanë vetëm një frazë si justifikim në çdo fillim turneu. “Ne kemi si synim që të çojmë sa më shumë lojtarë në ekipin A”. Mirëpo nuk e çon kjo frazë atë lojtar në ekipin A, sepse nuk e stërvit Bulku, Bushi apo Cungu në ekipin e tij nëntë muaj atë lojtar. Ata kur bëjnë më mirë se kushdo tjetër, dallohen vetë dhe stafi teknik i përbërë nga elementë të huaj, pa ndërhyrje nga jashtë i merr. Ja, ke shembullin e Roberto Martinezit, që ka ardhur te Portugalia me një staf të madh me vete. Këto janë raste kur merr stafe teknike të huaja.