Besëlidhja nuk iu nda ritualit të së mërkurës. Edhe pse kampionat nuk ka në fundjavë, zhvilloi ndeshjen e zakonshme të kontrollit. Përballë futbollistëve të formacionit, u rreshtuan rezervat, të cilët kanë nisur një “garë” të ashpër për një vend në formacion.

Befasia më e madhe e këtij sezoni, është padyshim Eduart Shehu. Erdhi për provë gjatë fazës përgatitore, por direkt fitoi kontratën dhe një vend titullar. Gjatë miqësoreve shënonte sistematikisht, por “avazit” nuk po i ndahet gjatë Kategorisë së Parë. Shënoi në javën e parë, por edhe në të tretën.

Sulmuesi i ardhur nga Amerika, është “beniamini” më i ri i lezhjanëve. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 21-vjeçari e komenton kështu nisjen e këtij sezoni:

“E nisëm kampionatin me 4 pikë dhe nuk është keq. Mund të kishim edhe më shumë, por nuk na ndoqi fati në javën e tretë. Në transfertën e fundit, u thyem. Një humbje që nuk erdhi vetëm prej fatit tonë keq. Ne pësuam gol që në start nga pika e bardhë e penalltisë dhe më pas nga një gabim i evitueshëm i mbrojtjes pësuam golin e dytë.

Gjithsesi, nuk u dorëzuam, përkundrazi luftuam fort dhe aty nga fundi i pjesës së parë arritëm që me dy sulme të shpejta të çonim rezultatin në 2-2. Pjesën e parë e mbyllëm të qetë. Ajo ndeshje duhej të mbyllej të paktën barazim, por kështu e ka futbolli dhe surprizat e bëjnë edhe më të bukur këtë lojë.

Arritëm që ta mbanim barazimin deri afër dhjetë minutave të fundit të ndeshjes, madje me pak kujdes edhe mund të shënonim, por ndodhi e kundërta. U ndëshkuam nga një gjuajtje standarde, gol që nuk arritëm ta zhvlerësonim. Humbja në Lushnjë na e forcoi ‘maloren’, por nuk jemi zemërthyer.

Koha që kemi në dispozicion dhe forma shumë e mirë e ekipit na mban në lojë për të pretenduar kapjen e kreut. Tani po punojmë fort në stërvitje, pasi javën e ardhshme kemi dy ndeshje të forta, për Kupë ndaj Apolonisë dhe për kampionat ndaj Tërbunit. Të dyja po i vlerësojmë maksimalisht, pasi duam që të çajmë edhe në Kupë”, tha Shehu.