Deri më tani, kanë qenë thjesht në kuadrin e thashethemeve, por së fundmi janë konfirmuar edhe nga ana e vetë futbollistit. Fjala është për qendërmbrojtësin Bruno Lulaj, i cili ka konfirmuar për “Shkodra Sport” se është ulur të bisedojë me drejtuesit e Vllaznisë për sa i takon mundësisë së firmosjes së një kontrate me ta për sezonin e ardhshëm.
Bruno Lulaj ka marrë edhe një ofertë zyrtare, teksa është takuar edhe me drejtuesit e Vllaznisë. Vetë mbrojtësi ka konfirmuar për “Shkodra Sport” faktin që ka marrë një ofertë nga skuadra shkodrane, por do akoma kohë të vendosë.
“Vllaznia? Po, kam pasur kontakte, por për momentin nuk dua të flas më tepër. Këto ditë do vendos. Besoj brenda javës që vjen do vendos për të ardhmen time, por mund të them se Vllaznia është një opsion për të ardhmen”,-tha për “Shkodra Sport” ish-qendërmbrojtësi i Kukësit, Bruno Lulaj.
Momentalisht, Lulajn e pret edhe Partizani, që prej gati një jave i ka bërë atij ofertën, ndërsa emri i tij është lakuar edhe te Tirana. Burime të “Shkodra Sport” pranë Lulajt bëjnë me dije, se edhe pista e huaj duket se e “gërric” disi mbrojtësin, i cili dëshiron ta vijojë karrierën jashtë vendit, nëse del ndonjë opsion që mund të jetë i vlefshëm, por duhet parë.
Megjithatë, shumë shpejt, madje që këtë javë, do të ketë një vendim të ish-qendërmbrojtësit të Kukësit, Bruno Lulaj rreth të ardhmes së tij.
Maringlen ZHIVANI