Ky është titulli i një shkrimi investigues të gazetarit italian Marco Iaria, botuar në të përditshmen sportive La Gazzetta dello Sport.
Bëhet fjalë për një tjetër këndvështrim të Botërorit 2026, ku përveç rekordeve sportive, në qendër të vëmendjes janë edhe disa statistika e shifra marramendëse, të cilat tejkalojnë edhe rekordet e vendosura në fushën e lojës.
Botërori i zhvilluar në tre shtete – Meksikë, Kanada dhe SHBA – regjistroi 48 skuadra pjesëmarrëse, 104 ndeshje, rreth 6.8 milionë spektatorë dhe afro 15 miliardë dollarë të ardhura.
Por, sipas gazetarit italian, edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka “rekordet” e tij personale, të cilat ai i cilëson me ironi si “Teprimet e Infantinos” ose “Sukseset e fëmijëve”.
Ja disa prej tyre:
- Presidenti i FIFA-s përshkoi 108 323 kilometra gjatë lëvizjeve të tij mes tre vendeve organizatore.
- Ai realizoi 49 fluturime, ndërsa udhëtimi më i gjatë ishte ai nga Vankuveri në Majami.
- Në ajër kaloi rreth 120 orë.
- Distanca e përshkuar korrespondon me rreth 2.7 xhiro rreth Tokës.
- Sipas përllogaritjeve të publikuara në shkrim, këto udhëtime prodhuan rreth 1 011 tonë dioksid karboni (CO₂).
Ndërkohë, presidenti i CONMEBOL, Alejandro Domínguez, i cilësuar si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Gianni Infantinos, ka shprehur tashmë dëshirën që në të ardhmen Kupa e Botës të zhvillohet me 64 skuadra.
“Më shumë ndeshje, më shumë të ardhura, por edhe më shumë dëme për mjedisin”, është mesazhi që përcjell gazetari Marco Iaria në analizën e tij, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që zgjerimi i vazhdueshëm i Botërorit mund të ketë jo vetëm në futboll, por edhe në mjedis.



