Vllaznia do të luajë nesër ndaj Skënderbeut, në një ndeshje shumë të rëndësishme për fatet e kampionatit. Për ish-futbollistin e saj, Dritan Smajli, në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, Vllaznia do jetë për trofe gjithmonë kudo që të jetë dhe sido që të jetë, teksa parashikon që nesër shkodranët do të marrin një fitore ndaj Skënderbeut.

“Në fakt, unë e ndjek kampionatin shqiptar, por më besoni ndjek vetëm Vllazninë për hir të së vërtetës. Duke qenë, se na intereson më shumë se çdo skuadër tjetër, unë e kam ndjekur dhe ç’është e vërteta, është një ndër skuadrat më të mira të kampionatit, që po prodhon futboll. Ndoshta rezultatet nuk kanë qenë të duhura, por nganjëherë në futboll, të dënon edhe fati, të bën që të kesh pikë më pak.

Unë e thashë edhe më lart, që Vllaznia ka prodhuar futbollin më të bukur sot për sot. Nuk e them pse unë dua Vllazninë, por e them se është realiteti dhe normalisht duhet të kishte pikë më tepër. Ndoshta, nuk dua t’i hyj këtyre diskutimeve, sepse është dikush tjetër që mund të merret. Ndoshta mund të jetë penalizuar në ndeshje të caktuara, të mosdhënies së një penalltie apo të një anullimi goli apo diçka tjetër, por Vllaznia meriton më shumë ç’është e vërteta.

Dy vitet e fundit, Vllaznia ka prodhuar shumë futboll. Nuk është se Vllaznia nuk ka prodhuar futboll edhe në vitet e kaluara. Vllaznia ka prodhuar futboll gjithmonë. Ndoshta, ardhja e një trajneri gjerman, po themi, ka bërë që Vllaznia, të luajnë diçka më mirë.

Pra po luan poshtë, po luan shpejt. Del në fazën e sulmit shumë shpejt, por edhe në fazën e mbrojtjes, po zbresin shumë shpejt lojtarët. Kjo ka bërë që të jetë një skuadër dinamike, që di të kapë të papërgatitur, por është shumë e vështirë ta kapësh të papërgatitur Vllazninë dhe kjo besoj se është një armë shumë e fortë për ta.

Vllaznia e ka merituar t’i fitojë të dy trofetë vjet në fakt. Ndoshta, unë kam qenë nga ata, që kam thënë, që Vllaznia e ka merituar të jetë kampione e Shqipërisë vjet. Ndoshta, sivjet është diçka më larg, por besoj që ka më afër kupën dhe unë besoj se do ta marrin, e meriton. Nuk është se Vllaznisë po i fal diçka dikush, por është penalizuar në fakt, megjithatë Vllaznia e meriton.

Ndoshta, vjet ka qenë më me rivalitet kampionati në fakt. Sivjet, ndoshta është më ndryshe. Pse është më ndryshe? Sepse nuk e kemi Vllazninë aq afër, për të pasur një rivalitet të fortë. S’kam asgjë kundër Laçit, absolutisht jo, por sikur të ishte edhe Vllaznia, diçka më afër, do të ishte ndryshe, sepse është ndryshe.

E thashë edhe njëherë, me gjithë respektin për Laçin, që po bëjnë një kampionat të shkëlqyer, por është ndryshe, që ti të kesh në garë edhe një emër kaq të madh, një fanellë kaq të rëndë si Vllaznia dhe është ndryshe të kesh përballë një skuadër që i duhen të gjitha fitore. Kështu që, mendoj se nuk është rivaliteti i vjetshëm në fakt.

Në fakt, më vjen keq për Skënderbeun, se si qenka futbolli kështu kaq i pabesë, por ato duhet të marrin përgjegjësitë e veta padiskutim. Në qoftë se, është bërë diçka, duhet të marrin përgjegjësitë e veta, sepse në fund të fundit, nuk është se humb Korça. Humb futbolli shqiptar. Ne u mësuam tani që të jemi edhe në kupat e Europës. Të jemi në grupe dhe për këtë duhen përgëzuar, por në qoftë se, ka ndodhur diçka, ata duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë.

Ka humbur futbolli shqiptar në fakt shumë, kurse unë Skënderbeun e shoh shumë të rrezikuar këtë vit. Ndoshta, mund t’i jap një 70% që mund të zbresë nga kategoria, kurse për Vllazninë, me të vërtetë, Vllaznia ka zbritur nga kategoria. E dijmë të gjithë si ka zbritur, e dijmë të gjithë, por nuk mendoj që Vllaznia nuk do jetë për trofe. Vllaznia do jetë për trofe gjithmonë kudo që të jetë, sido që të jetë, me çfarëdo lloj lojtarësh që të jetë, Vllaznia mbetet Vllazni. Ajo është gjithmonë për trofe.

Patjetër, që nesër Vllaznia ka për të fituar. Unë kam besim shumë që do fitojë. Shpresojmë që të na ndalohen edhe rivalët. Në një barazim po themi, parashikimi im ky dhe Vllaznia të fillojë, të marrë maloren, që të shkojë drejt kreut”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, Dritan Smajli.
Maringlen ZHIVANI