Vllaznia ka ndarë pikët me Kukësin në një barazim pa gola në ndeshjen e fundit, në duelin mes dy skuadrave, të cilat ndajnë edhe vendin e tretë në renditjen e Superiores. Shkodranët janë të pakënaqur nga kjo gjë dhe padyshim që tashmë duket se titulli kampion është i paarritshëm.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ish-futbollisti i Vllaznisë, Erjon Hoti, thotë se ekipi shkodran ka qenë larg lojës së sezonit të kaluar, teksa këtë edicion nuk ka bindur me lojë sikur vjet. Megjithatë, ai është shprehur gjithashtu se skuadra kuqeblu nuk meriton më shumë se kaq, sepse kaq ka treguar.

“Gjatë këtij sezoni, Vllaznia ka qenë larg lojës të sezonit të kaluar. Nuk ka bindur me lojë, sikur vjet dhe nuk diti të shfrytëzojë mangësitë, që u vunë re sezonin e kaluar, plus që edhe lojtarët e larguar, nuk u zëvëndësuan me lojtarë më të mirë.

Latifi ishte blerja më e mirë, por mos të harrojmë se edhe Latifi, ka qenë larg pritshmërive të tij. Nuk ka shkuar akoma te 70% i atij Latifit, që njohim dhe që kemi parë te Skënderbeu.

Kjo ndoshta edhe nga mungesa e madhe dhe minutat e pakta, që ka pasur në këmbë, në dy vitet e fundit të tij, jashtë Shqipërie. Vllaznia e këtij sezoni mendoj se nuk meriton më shumë se kaq, më shumë se vendi 3-4 për këtë sezon, sepse kaq ka treguar. As në merkaton e janarit, nuk u bë asnjë ndërhyrje për një sulmues rrace, që na ka munguar gjithë sezonin dhe një mesfushor krahu, si tipi i Latifit.

Për sa i përket ndeshjes ndaj Kukësit, ishte një ndeshje e vakët, ku të dy ekipet thjesht nuk donin të humbisnin më shumë se sa kërkonin fitoren. Vllaznia ishte shumë e pafuqishme në daljet në sulm, edhe pse herë pas herë, u mundonte me topa vertikal, por siç e theksova nuk kemi një sulmues tip Sinani, që kur i ke çuar topin deri te gjysëmfusha e kundërshtarit, ke pritur shumë nga ai, ose ka shënuar gol, ose ka shërbyer për dikë tjetër, ka marrë ndonjë faull, pra e ka afruar ekipin te porta kundërshtare.

Sulmuesit që kemi sot, nuk i kemi parë akoma njëherë, duke dribluar dhe duke gjuajtur portën. Luajnë shumë larg portës.

Këto veprime i kemi parë disa herë nga Da Silva dhe Latifi, por pozicionet e tyre nga krahët, e kanë më të vështirë, për t’iu afruar portës, si një sulmues pykë. Pra mund të them se ndaj Kukësit, rezultati 0-0 ishte i drejtë.

Ndërkohë, për ndeshjen me Tiranën, mendoj se do bëjmë një paraqitje dinjitoze, dhe shpresoj të bëjmë atë lojë agresive, siç bëmë në Tiranë, që u kënaq çdo shkodran. Edhe pse ajo ndeshje nuk u fitua, por ama Vllaznia në atë ndeshje dominoi totalisht.

Presioni më i madh mendoj në këtë ndeshje bie mbi Tiranën, e cila nuk do të gabojë, që të ndërlikojë ecurinë e saj drejt titullit, pasi Laçi nuk është shumë larg. Ndërkohë, Vllaznia është pak më e qetë mendoj, sepse edhe objektivi i ekipit tonë, tashmë do jetë pjesëmarrja në Kupat e Europës, se për titull, nuk besoj se kemi më shanse”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, Erjon Hoti.
Maringlen ZHIVANI