Ferhan Hasani nuk është më futbollist i Partizanit. “Buba” iu bashkua të kuqve në muajin janar, si përforcimi më i bujshëm i merkatos dimërore.

Mesfushori 31-vjeçar kishte kontratë edhe për sezonin e ri, por nuk ka pranuar të vazhdojë, për disa arsye.

Pas përfundimit të sezonit të shkuar, Ferhan Hasanit i është kërkuar të largohet nga klubi, pasi nuk bënte pjesë në planet e trajnerit Ilir Daja.

Pasi iu komunikua kjo gjë, Hasani u përgjigj se kërkon 50 mijë euro në dorë, në mënyrë që të largohet para se t’i përfundojë kontrata.

Kjo gjë nuk u pranua nga Partizani dhe “Buba” vazhdoi të ishte pjesë e klubit.

Tani, pas largimit të tij të dytë, me shumë gjasa mesfushori do ta marrë këtë pagesë dhe rrugët mes dy palëve do të ndahen përfundimisht.