E kemi thënë edhe më parë se interesimi për ndeshjen e pasditës së sotme, atë Vllaznia-Tirana, duket se është më i madh se herët e fundit. Kjo duket edhe tek numri i biletave të shitura deri më tani.
Burime pranë kompanisë që merret me shitjen e tyre, bëjnë të ditur për “Shkodra Sport”, se deri në orën 15:30, janë shitur 2500 bileta. Një numër ky praktikisht i konsiderueshëm, kur ke parasysh se shkodranët, por edhe shqiptarët, duan ta blejnë biletën vetëm pak minuta para ndeshjes.
Megjithatë, praktika e aplikur për hapjen e sportelit që ditën e premte, ka dhënë efektin e vet. Sot pasdite në orën 16:45, pritet që në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, të jenë mbi 3 mijë tifozë për të mbështetur Vllazninë.
Një ndeshje e tillë si kjo ndaj Tiranës, ka bërë që edhe tifozët të jenë të interesuar për ta mbështetur ekipin shkodran, në ndeshjen që do të zhvillohet në Shkodër. Në këtë interesim ka ndikuar edhe çmimi shumë i favorshëm i biletave për thuajse 80% të stadiumit, sepse tifozët më të shumtë pritet t’i ketë tribuna C5.
Maringlen ZHIVANI