Pas pothuajse tre muajsh në krye të Besëlidhjes dhe pesë ndeshjesh, trajneri Nikolin Çoçlli ka dhënë dorëheqjen.

Vetëm një barazim dhe katër humbje në pesë takimet e fundit të kampionatit duket se e kanë bindur trajnerin korçar që të largohet nga drejtimi i skuadrës lezhjane.

Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, Çoçlli në kokën e tij e ka marrë vendimin për të lënë stolin e Besëlidhjes që të shtunën pas humbjes me Korabin në Lezhë.

Megjithatë, ai ia ka bërë të ditur futbollistëve dhe drejtuesve vetëm ditën e sotme, kur ekipi është grumbulluar për të nisur përgatitjet për sfidën e rradhës ndaj Turbinës.

Çoçlli pas analizës së zakonshme u përshëndet me të gjithë futbollistët dhe stafin e mbetur teknik për t’u larguar më pas nga Lezha me mirëkuptimin e drejtuesve të ekipit lezhjan. Tashmë, me interes mbetet për t’u parë në vazhdim se nga kush do të drejtohet Besëlidhja deri në mbyllje të sezonit.
Maringlen ZHIVANI