Besëlidhja duket se nuk e ka lënë pankinën bosh pas dorëheqjes së Nikolin Çoçllit. Nga sa bëhet e ditur nga burime të “Shkodra Sport”, menjëherë pas largimit të teknikut korçar, trajneri i ri i skuadrës lezhjane është emëruar Artan Bano, një emër i njohur i trajningut në Kategorinë e Parë.

Bano është një trajner i spikatur me ekipe të ndryshme në Kategorinë e Parë, por jo vetëm, teksa më parë ka drejtuar ekipe me emër si Lushnja, Tomori, Shkumbini apo edhe Egnatia. Tashmë, pas largimit të Çoçllit, trajneri Bano do të marrë “frenat” e ekipit lezhjan në dorë.

Besëlidhja e nisi garën me pretendime, por rezultatet në pesë javët e fundit, sigurisht që kanë vështirësuar pozitat e skuadrës, duke marrë në konsideratë që ekipi lezhjan renditet në vendin e fundit në kuotën e vetëm 10-pikëve.

Tashmë, mbetet për t’u parë se si do të reagojë skuadra me trajnerin e ri Artan Bano, teksa shpresohet që sa më parë ai ta rikthejë skuadrën e Besëlidhjes tek rezultatet pozitive.
Maringlen ZHIVANI