Merkato e Kukësit në ditët e fundit ka qenë e përqendruar në afrimet, por nuk reshtin ende largimet nga verilindorët. “Panorama Sport” ka mësuar se një tjetër futbollist i ka dhënë lamtumirën klubit kuksian, duke ndërprerë me marrëveshje bashkëpunimin.
Gazeta ka mësuar se Klejdi Daci dhe Kukësi janë ndarë me mirëkuptim sot, duke e lënë sulmuesin një lojtar të lirë. Daci kishte shkuar në këtë klub me idenë për të luajtur me rregullsi por aktivizimi ka qenë i kufizuar edhe për shkak se Gabriel Barbosa ishte titullar i paprekshëm.
Afrimet në repartin e sulmit në ditët e fundit kanë shtyrë Dacin që të kërkojë largimin nga verilindorët, ku hapësirat për të do të ngushtoheshin edhe më shumë.
Kështu, ai u largua nga Kukësi me 18 ndeshje e 3 gola të shënuar, të ndarë në dy gjysma sezonesh me verilindorët, teksa tani do të jetë në kërkim të një sistemimi të ri. Gazeta mëson se klubi që është pranë akordit me Dacin, është Teuta, ku ai ka dhënë kontributin në seoznin e kaluar.