Lorik Boshnjaku ishte një ndër futbollistët më të mirë të Vllaznisë në ndeshjen e parë ndaj Universitateas së Kraiovës. Mesfushori i ardhur nga Prishtina ka shkëlqyer në debutimin ndaj Kraiovës, duke rrëmbyer shpesh herë edhe duatrokitjet e tifozëve të pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi”.
Në një prononcim për “Shkodra Sport”, Boshnjaku ishte i befasur nga mbështetja e tifozëve, teksa tha se ka mbetur pa fjalë prej tyre. Mesfushori kosovar u shpreh se mundësitë janë për kualifikim, ndërsa theksoi se ishte një dëshirë e tij së bashku me trajnerin Josa, që ai të firmoste me Vllazninë për dy vitet e ardhshme.
“Përshtypjet për barazimin ndaj Kraiovës? Përshtypjet e mia janë shumë të mira, sidomos për publikun. Shpresojmë të bëjmë paraqitje sa më të mira ekipi dhe unë, që të kënaqim publikun.
Kualifikimi në turin e tretë sa i mundur? Po, kemi mundësitë tona edhe ne. Shpresoj t’i shfrytëzojmë ato raste që do vijnë.
Tifozët e pranishëm në “Loro Boriçi”? Për tifozët nuk kam fjalë, sepse u ndjeva shumë mirë. Kur pashë gjithë ata tifozë që na mbështesin dhe ne normal u munduam të japim maksimumin.
Firma në Shkodër dhe rikthimi nën urdhërat e trajnerit Josa? Ishte dëshira ime të isha prapë nën urdhërat e profesor Josës. Shpresoj të flasim në fushë dhe në fund të gjithë të jemi të kënaqur”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, mesfushori i Vllaznisë, Lorik Boshnjaku.
Maringlen ZHIVANI