Rudi Vata është sërish kritik kundrejt Vllaznisë. Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i shkodranëve thotë se Vllaznia po bën disa ndeshje të dobëta së fundmi, që nuk u shërbëjnë aspak synimeve të tyre. Ndërkohë që sipas tij, duhet të bëhet një punë e madhe nga të gjithë, për të arritur pjesëmarrjen në Kupat e Europës
Në një intervistë të gjatë për “Shkodra Sport”, Vata i bën një analizë të thellë situatës aktuale tek Vllaznia, teksa u shpreh se shkodranët nuk po kanë më atë tempin e duhur në fushën e lojës, ndërsa theksoi se në qoftë se do të vazhdohet me këtë ritëm, atëherë Vllaznia do ta ketë shumë të vështirë për të arritur objektivat e saj. Për më tepër, lexoni prononcimin e mëposhtëm:
“Po, isha në stadium për ndeshjen Vllaznia-Partizani. Në atë që unë kuptova dhe shikova, ishte një ndeshje e dobët në përgjithësi. Një ndeshje pa tempin e duhur. Vllaznia ishte një skuadër normalisht disi e fikur, disi pa motiv. Me një kimi që nuk ekzistonte pra në repartet e fushës. Një ndeshje që, me pak angazhim mund t’u fitonte, por gjithsesi thashë një Vllazni të pamotivuar. Një Vllazni pa grintë, pa dëshirën për fitore dhe shumë nga lojtarët që janë shtylla e ekipit, janë lojtarë që pritshmëritë janë shumë më të mëdha.
Ata ishin disi, si të fikur dhe disi nën nivelin dhe kapacitetet, që ato me të vërtetë kanë. Një Vllazni që, në qoftë se, do të vazhdojë me këtë ritëm, do ta ketë shumë të vështirë, për të arritur objektivat, sepse kjo është faza më e fortë e kampionatit dhe periudha më deçizive, që vendoset fati i skuadrës, për të qenë pjesë në Kupat e Europës ose për të dështuar si sezon.
Unë mendoj që Vllaznia i ka kapacitetet, e ka skuadrën, e ka grupin dhe ka mjaftueshëm pikë në lojë, për të arritur objektivin e pjesëmarrjes në Kupat e Europës, por sigurisht që kjo nuk arrihet nëpërmjet dëshirës, por nëpërmjet punës dhe përqëndrimit maksimal të të gjithë grupit, stafit dhe sigurisht të drejtuesve të klubit. Mendoj që janë mjaftueshëm pikët për t’u fituar dhe për të dalë, për të marrë pjesë në Kupat e Europës, direkt nga kampionati, ndërsa finalja sigurisht është finale dhe në finale, Vllaznia ka pasur një eksperiencë shumë të mirë vjet.
Sivjet, nuk është i njëjti entuziasëm, siç ishte vjet, por ajo që Vllaznia duhet të rregullojë, është në aspektin psikologjik. Aty diçka është një ngërç, që duhet zhbllokuar dhe lojtarët e rëndësishëm, lojtarët që kanë ato vlera, për të bërë diferencën, duhet të kenë angazhimin maksimal, për të motivuar grupin dhe për të qenë liderët e skuadrës drejt arritjes së suksesit, për të mbyllur një sezon, ashtu siç duhet mbyllur dhe ashtu siç Vllaznia e meriton dhe tifozët e saj, e dëshirojnë.
Për t’u futur në Europë nga kampionati, sigurisht që edhe Kukësi, edhe Partizani janë rivalët kryesorë dhe rivalët direkt, por në të njëjtën kohë Vllaznia ka kapacitete në grupin e lojtarëve mjaftueshëm për të qenë në një pozicion shumë më të mirë, se Kukësi, por edhe se Partizani. Gjithashtu, edhe se Laçi. Diçka tek Vllaznia pas vitit të ri nuk ka shkuar mirë. Skuadra ka humbur ekuilibrat. Skuadra ka humbur personalitetin. Nuk është më ai karakteri i skuadrës, e cila ishte në fillim të sezonit, ku pretendimet ishin të mëdhaja dhe skuadra luftonte për kreun e renditjes.
Pra, siç e thashë që balancat diku janë prishur. Aspekti psikologjik i skuadrës ka ra dhe pas largimit të Brdariç mendoj se skuadra është prapë e demoralizuar. Shikoj lojtarët që janë të demotivuar, të demoralizuar. Nuk shikoj lojtarët e rëndësishëm që kanë atë grintën individuale. Nuk e kanë më atë karakter që kanë shfaqur. Kjo jo se ka humbur, por diçka ato i ka shqetësuar, që duhet medoemos për ta rregulluar, në mënyrë që skuadra të tregojnë në periudhën e finishit, atë karakter që kishte edhe vjet, por edhe në fazat e para të këtij kampionatit, ku ishte pretendente kryesore për fitimin e titullit dhe mund të them thjesht që skuadrat e tjera, qoftë edhe Tirana, që ka qenë skuadra më stabël, që ka ruajtur mirë ekuilibrat, ka qenë skuadra që ka përfituar nga destabiliteti i skuadrave të tjera, siç është Laçi, Kukësi dhe Vllaznia.
Ka përfituar nga gabimet e vogla që këto skuadra kanë bërë. Ato kanë marrë pikët maksimale në ndeshjet e rëndësishme dhe sigurisht që Tirana është dominante për këtë arsye, por jo sepse Tirana nga fillimi i kampionatit, dominonte dhe ishte absolutisht skuadër, e cila të gjithë flitnin që të ishte për kampione. Në përgjithësi, kampionati shqiptar, por edhe vetë jeta është shumë me stres, shumë me pasiguri, shumë e vështirë për të përballuar një sezon me problematika të ndryshme, por klubet e mëdha duhet të kenë stafet e mjaftueshme profesionale për të ditur për të zgjidhur ngërçet që shfaqen në situata të ndryshme gjatë periudhës së kampionatit apo edhe të Kupës.
Tek Vllaznia ky është problemi. Ngërçet e vogla që krijohen, situatat që krijohen në një mënyrë ose një tjetër, duhet të kenë mjaftueshëm staf profesional, për të ditur për t’i përballuar me sukses, për t’i zgjidhur problemet, sepse më tepër fokusohen te problemi dhe shumë më pak tek mënyra se si për ta zgjidhur dhe se si për t’i fituar ato situata.
Pra, kjo është diferenca mes skuadrave, e cila si Tirana që përfiton nga gabimet e kundërshtarëve dhe kundërshtarët, Laçi, Kukësi dhe Vllaznia, vazhdojnë dhe gabojnë në të njëjtën mënyrë, duke i lënë shumë terren dhe hapësirë Tiranës, por Kukësi dhe Partizani janë skuadra për mendimin tim, me grup lojtarësh më të dobët se Vllaznia dhe në qoftë se, Vllaznia merr angazhimin maksimal për këto ndeshjet e fundit, për fazën finale pra në finish, mendoj që mundet të jetë para këtyre skuadrave në renditjen e përgjithshme.
Unë jam takuar edhe me presidentin Xhaferi. Madje, ndeshjen e fundit Vllaznia-Partizani e kemi ndjekur bashkë. Për mendimin tim, Vllaznia nuk ka një projekt të qartë teknik. Duhet një projekt i qartë teknik, qoftë për Akademinë e klubit Vllaznia, qoftë edhe për skuadrën e parë. Sigurisht që, ka shumë për të rregulluar, jo vetëm Vllaznia, por gjitha skuadrat e kampionatit shqiptar, gjitha klubet e futbollit shqiptar kanë shumë gjëra për të rregulluar dhe kanë shumë probleme nga më të ndryshmet dhe sigurisht ato probleme nuk rregullohen, nuk zgjidhen brenda ditës, por me një projekt teknik të detajuar dhe me njerëz që përkushtohen për të realizuar objektivat dhe për të arritur qëllimin e këtij projekti teknik, gjërat nuk realizohen.
Pyetja është si dhe kur mund të vijnë dita që mund të ketë një projekt teknik të tillë, qoftë edhe për lojtarët e ri të akademisë, qoftë për lojtarët e ekipit U-21, qoftë për lojtarët, të cilët afrohen tek Vllaznia me vlera monetare, të cilat nuk i justifikojnë. Pikërisht, ndeshjen me Partizanin, përveç lojtarëve të huaj që ishin në formacionin bazë, kishte edhe tre-katër lojtarë të tjerë të huaj, të cilët ndoshta nuk i kanë vlerat teknike, vlerat profesionale më të mira se djemtë e Akademisë Vllaznia, siç janë Paloka, Çoba, Deda, Smajli.
Pra, këto djem të rinj që janë te Vllaznia, kanë nevojë për motivim ndryshe. Kanë nevojë për t’i dhënë besimin, sepse para disa kohësh, kam parë një Çoba, i cili ka qenë i ndezur, ka qenë me “flakë”, ka pasur dinamizëm, ka pasur entuziasëm. Tani, pas disa muajsh, shikoj një Çobë tjetër, i cili duket jo me besimin e mjaftueshëm, jo me sigurinë që kishte.
Pra, këto djem të rinj, duhen menaxhur më me kujdes, për mendimin tim, sepse janë produkt i Akademisë, janë produkt i Shkodrës dhe sigurisht që kanë vlera po aq të mira mendoj sa ato lojtarët e huaj, që ishin në stolin e rezervave dhe mendoj që investimi është i çuar dëm për këto lojtarë, që nuk bëjnë diferencën te Vllaznia dhe qëndrojnë në stolin e rezervave. Ky investim që bëhet për këto djem të rinj, atëherë nuk ka sens. Kështu që, në këtë aspekt shpresoj që klubi sa më shpejt të rregullojë gjërat dhe t’u krijojë hapësira këtyre djemve, që në të ardhmen mund të jenë baza e ekipit, por edhe në aspektin e plan-biznesit, mund të jenë shumë, shumë të suksesshëm.
Finalja e Kupës është tipike një finale, mund të themi e zonës së veriut. Një Laç, i cili në historinë e futbollit, ka qenë dhe është shumë më mbrapa historisë të Vllaznisë së Shkodrës, por për hir të së vërtetës, ky Laç me ato mundësira që ka Laçi, ka qenë shumë më i suksesshëm se Vllaznia e Shkodrës këtë dekadën e fundit, të paktën mund të them dhe kjo është meritë e menaxhimit të klubit të Laçit, nga vetë presidenti Laska, nga vetë stafi dhe sigurisht është bukur kur një skuadër, që është e lidhur me Shkodrën, sepse Shkodra-Laçi pak a shumë, kanë një lloj lidhjet edhe kimike, por është një ndeshje, që Laçi ka dëshirë për ta fituar.
Vllaznisë i duhet medoemos për të ruajtur trofeun, sepse është mbajtëse e këtij trofeut. Eshtë një ndeshje që do të jetë 50-50. Sigurisht që, trajneri Duro ka ambicien e vet për ta fituar. Nuk do të jetë një ndeshje që mund të ketë një dominancë absolute të një ekipit. Do të jetë një ndeshje, që do të ndahet nga detajet. Pra, do jetë tipike një ndeshje shahut dhe skuadra që do të tregohet më e kujdesshme dhe më e përqëndruar, do ta fitojnë Kupën.
Uroj që ta fitojnë Vllaznia, sepse Laçi është i sigurtë, që do të marrin pjesë në Kupat e Europës. Uroj ta fitojnë Vllaznia, për t’i dhënë Shkodrës atë entuziasëm, që e kishte dhe e humbi. Për t’i dhënë tifozëve atë krenari, që ato e kanë dhe për t’i dhënë edhe sigurisht mundësinë djemve, që të përfaqësohen në Europë dhe të bëjnë hapa përpara”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata.
Maringlen ZHIVANI