Kapiteni shkodran i Bylisit, Aleksandër Trumçi, është një nga ata futbollistë që pëlqehet nga Tirana për të veshur fanellën bardheblu. Burime të “Shkodra Sport” bëjnë me dije se trajneri i skuadrës, Orges Shehi, së bashku me drejtorin Tefik Osmani, por edhe me Grent Halilin pëlqejnë mbrojtësin 22-vjeçar dhe po planifikojnë ta kenë së shpejti nën urdhërat e tyre.

Megjithatë, diçka që mund të jetë pengesë për kalimin e Trumçit te Tirana, është se kapiteni shkodran i Bylisit është ende nën kontratë me ballshiotët, të paktën deri në qershor, atëherë kur mund të ketë edhe një vendim për të ardhmen e futbollistit shkodran.

Realisht, pjesën e parë të sezonit që lamë pas në aktivizimin me Bylisin, Trumçi dha një kontribut të rëndësishëm në ekipin ballshiot, teksa forma e mirë e tij dhe ritmi që ai ka pasur gjatë kësaj periudhe kanë bërë që për futbollistin shkodran të ketë opsione të reja për të ardhmen e tij.

Deri më tani me Bylisin, shkodrani Aleksandër Trumçi ka luajtur 14-ndeshje, ku ka shënuar edhe një gol. Ai është shndërruar në një nga pikat më të forta të skuadra ballshiotëve dhe për këtë arsye, ka rënë në sytë e drejtuesve të skuadrave të tjera
Maringlen ZHIVANI