Pas 15-javëve të kampionatit, Vllaznia renditet e katërta me 22-pikë, me gjashtë fitore, katër barazime dhe pesë humbje, po aq sa Erzeni, duke qenë jashtë objektivit të klubit për kreun.

Ajo që duket se çaloi në skuadër, përtej pozicionit në renditje, ishte edhe shterpësia në golat e shënuar dhe poashtu të pësuar. Kështu, janë 16-gola të shënuar dhe 14-të pësuar, duke mos harruar se ky golavarazh pozitiv prej dy golash, u rregullua pikërisht në takimin e javës së 15-të ndaj Teutës, ku kuqeblutë fituan 4-0.

Vllaznia nuk ka arritur që të shënojë më shumë se 1.06 gola për ndeshje, teksa si kryegolashënues ka një mesfushor, pikërisht Herald Markun. Ky i fundit ka gjetur katër herë rrugën e rrjetës këtë sezon, duke qenë momentalisht edhe golashënuesi më i mirë i Vllaznisë.

Nga tri herë kanë gjetur rrugën e rrjetës sulmuesit Ardit Hoxhaj dhe Kaina. Pas tyre, lojtari që ka shënuar më shumë deri tani është me dy gola mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj. Ai ka lënë pas sulmuesin kryesor, Ante Aralica, me vetëm një gol të shënuar.

Megjithatë, nëse problem ka qenë shënjestra në ndeshjet e kampionatit, e njëjta gjë ishte edhe në miqësoren e fundit ndaj Kastriotit, e cila u mbyll vetëm në barazim 0-0. Në këtë ndeshje, Vllaznia prodhoi raste, por realisht shënimi i golit vazhdon të mbetet problem për kuqeblutë. Një defekt që duhet rregulluar medoemos për ndeshjen ndaj Partizanit.
Maringlen ZHIVANI