Vllaznia ka kryer deri tani në merkaton e verës pesë afrime zyrtare dhe një rikthim nga huazimi të Kaina Nunesh nga Kastrioti. Megjithatë, merkatoja e kuqebluve nuk quhet e mbyllur, pasi kuqeblutë presin përforcime kryesisht në sulm.

Në kuadrin e zërave të merkatos së Vllaznisë, së fundmi në skenë ka dalë një emër bombastik, pasi bëhet fjalë për ish-sulmuesin shkodran të Kombëtares, Sindrit Guri. Interesante duket si lëvizje, por mbetet për t’u parë nëse do të mbetet thjesht zhurmë merkatoje apo tratativë
e mundshme.

28-vjeçari ka kontratë me Shkëndijën edhe për Kupat e Europës, por ka edhe një opsion tjetër me shqiptaro-maqedonasit edhe për një vit nëse palët bien dakord dhe nëse është i vërtetë si lajm, mbetet për t’u parë se si mund të përfundojë te shkodranët, si futbollist i lirë apo ndoshta edhe në huazim.

Megjithatë, sipas burimeve të “Shkodra Sport”, ky kalim i sulmuesit, që ka luajtur vetëm një ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, për momentin nuk ka asnjë mundësi që të realizohet. “Shkodra Sport” u interesua në klub në lidhje me këta zëra të merkatos që lidhen me “pykën” shkodrane, por në komunikimin me “Shkodra Sport” nga drejtuesit, është mohuar mundësia që Guri të firmosë për Vllazninë.

Poashtu, edhe vetë sulmuesi Sindrit Guri, në një komunikim të shkurtër për “Shkodra Sport” e mohoi një gjë të tillë për një kalim të mundshëm tek Vllaznia, teksa tha se asgjë nuk është e vërtetë.

Karriera e Sindrit Gurit ka ardhur në rënie, pasi vlerën më të madhe e pati në 2018-tën, ku u shit për 700-mijë euro nga Kukësi te belgët e Oostende. Aktualisht, sipas “Transfermarkt”, vlera e kartonit të sulmuesit shkodran është 400-mijë euro.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë zhvillimi do të ketë kjo pistë te Vllaznia.
Maringlen ZHIVANI