Java e pestë e kampionatit shqiptar ka rezervuar për Vllazninë ndeshjen ndaj Kastriotit, e cila do të luhet të dielën në orën 17:45, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Kuqeblutë, përveç mesfushorit të krahut, Liridon Latifi, i cili dihet tashmë, do të kenë edhe një mungesë tjetër shumë të rëndësishme në këtë takim, pikërisht mesfushorin tjetër kosovar, Lorik Boshnjaku, i cili doli i dëmtuar nga fusha në sfidën me Egnatian pas 39-minutash lojë.

“Shkodra Sport” ka mësuar nga burime pranë futbollistit të shkodranëve se, kosovari ka pësuar një tërheqje muskulare dhe gjasat janë që të qëndrojë dy deri në tre javë pushim. Menjëherë, pasi ka mësuar shkallën e dëmtimit, Lorik Boshnjaku ka nisur edhe terapinë pas tërheqjes muskulare që ka pësuar.

Edhe pse shpresohet se mund të ketë një riaftësim më të shpejtë, duket e pamundur që kosovari të rikthehet në fushë të paktën për dy ose tre javë të tjera, pasi ky dëmtim do kohën e vet të rikuperimit.

Josa po i bën llogaritë për ndeshjen ndaj Kastriotit pa Latifin dhe pa Boshnjakun, teksa që të dy kur pësuan dëmtimet, dolën nga fusha duke çaluar. Me interes mbetet për t’u parë se kush do ta marrë vendin e Boshnjakut, teksa një alternativë e mundshme është edhe mesfushori shkodran, Rejan Alivoda.
Maringlen ZHIVANI