Rudi Vata ka dhënë një intervistë për “Tribalfootball” ku ka komentuar Shqipërinë. Figura e njohur e futbollit shqiptar e konsideron këtë grup aktual me shumë potencial, duke u shprehur se Kombëtarja është më mirë se më parë. Por në fund ka një thirrje se trajneri i Shqipërisë duhet ndërruar dhe duhet gjetur një profil tjetër nga Reja, në mënyrë që këtyre elementeve ti merret maksimumi i mundshëm.

“Futbolli shqiptar dhe sigurisht Kombëtarja, është shumë më mirë se sa ishte. Arsyeja pas kësaj është se pas 30 vitesh demokraci në vendin tonë dhe njerëzit që patën mundësinë të shpërngulen jashtë vendit, tanimë kanë krijuar një platformë të re për Federatën. Po t’i shikoni lojtarët shqiptarë tani, ata vijnë kryesisht nga vendet perëndimore, kanë lindur në vënde të ndryshme si Itali, Gjermani, Greqi, janë rritur atje, stërviten në mënyrë profesionale.

Sigurisht që kemi shumë talent në skuadër me (Armando) Brojën, (Nedim) Bajramin dhe sigurisht Hysajn. Elseid është një tjetër lojtar i rëndësishëm që bën punën e tij dhe në shumicën e rasteve është kapiten i kombëtares. Mendoj se të gjithë ata lojtarë, (Berat) Gjimshiti, (Etrit) Berisha, (Marash) Kumbulla kanë shumë për t’i ofruar Kombëtares, por siç them unë, ata duhet të punojnë me një sistem të duhur dhe të kenë trajnerin e duhur për t’i drejtuar.

Ata duhet të kenë udhëzimet e duhura dhe shpresoj që në fushatën e ardhshme ne mund të sjellim një menaxher të mirë, një trajner të mirë që kupton talentin e secilit lojtar dhe mund të ndërtojë një njësi të mirë në mënyrë që ne të mund të jemi një ekip kombëtar i fortë dhe i fuqishëm”, tha Rudi Vata. /Sport Ekspres/